LajmeMaqedoniOpinion

Krenar Lloga kujton Muharem Nexhipin: Do të duhej të kalonin thuajse dy dekada që të kuptonim se kishim jetuar e qëndruar pranë viganëve politikë të shqiptarëve të Maqedonisë

Do të duhej të kalonin thuajse dy dekada që të kuptonim se kishim jetuar e qëndruar pranë viganëve politikë të shqiptarëve të Maqedonisë dhe jo vetëm. Pranë njerëzve që kishin lënë gjurmë në çdo cep ku kishte organizim për të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi, por edhe në vetë Shqipërinë.
Në ato vite isha një student i ri në Tetovë, në UEJL, por edhe një i ri aktiv në politikë, fillimisht si nënkryetar e më pas si kryetar i RDSH-së. Qëndronim në të njëjtat hapësira me njerëz që i kishim parë nëpër televizione e gazeta si zëri i kthjellët dhe i kultivuar i organizimit politik të shqiptarëve në Maqedoni.
Krahas Arben Xhaferi dhe figurave të tjera, ishte edhe një personalitet i spikatur nga Manastiri i Alfabetit, ai qytet skajor që na bën krenarë me shkronjat dhe historinë e tij, një doktor që kontribuoi krah Sali Berishës në Shqipëri, krah Ibrahim Rugovës në Kosovë dhe krah Arben Xhaferit në Maqedoni.
Teksa këta burra, të ngjizur në vrullin e rezistencës antikomuniste e antijugosllave, flisnin, ne ishim vetëm nxënësit me fat që kishim përballë, apo më mirë thënë krah nesh, mësues të pazëvendësueshëm, që dëshmonin se si shqiptarët bashkëpunojnë në kohë të vështira e krize për shqiptarizmën tonë.
Dr. Muharrem Nexhipi mbahet mend si zëvendësministër i Shëndetësisë, që menaxhoi në mënyrë të shkëlqyeshme dy luftërat në hapësirën tonë përmes asaj që bëri brenda sistemit shëndetësor. Ai mbahet mend si shqiptari i parë që theu dyert e mbyllura për mjekët shqiptarë nëpër klinikat e vendit. Ai do të mbahet mend si ndër shqiptarët më të votuar ndonjëherë në historinë e këtij vendi.
U nda nga jeta 18 vite më parë. Atë ditë, rrugët e Manastirit ishin mbushur plot për t’i dhënë njeriut të tyre lamtumirën e fundit – njeriut që e ngriti shtëpinë e tij mbi gërmadhat e shtëpisë së djegur nga huliganë nacionalistë, që urrejtjen e shprehnin përmes piromanisë.
Atë ditë po i jepja lamtumirë, pa e ditur, edhe gjyshit të fëmijëve të mi dhe babait të bashkëshortes sime, Nadire.
Njerëzit mbesin gjallë përmes kujtimeve dhe veprës së tyre. Muharremi ka lënë një trashëgimi të pasur, që u shërben brezave si një pasaportë që hap shumë dyer, e sidomos dyer shqiptare.
Lavdi jetës dhe veprës së Dr. Muharrem Nexhipit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close