
Debat për ndryshimet e Kodit Penal që pritet të miratohen në Kuvend me të cilat, krahas korrigjimit të neneve kontestuese për shpërdorimin e detyrës zyrtare, parashikohen edhe dispozita të tjera. Mes tyre, përfshihet edhe vepra e re penale për Keqpërdorim të video apo incizimeve, fotografive apo shkresave të huaja me përmbajtje eksplicite. Këto ndryshime do të përfshijnë edhe nenet e harmonizuara për veprat penale kundër sigurisë në trafik dhe konfiskimin e automjetit, në kuadër të pakove të ligjeve për projektin “Safe City”.
Ekspertët, por edhe përfaqësues e partive politike janë të ndarë sa i përket këtyre ndryshimeve. Profesoresha universitare, por edhe funksionare e LSDM-së, Ana Çupevska vlerëson se këto ndryshime janë vetëm sa për sy e faqe.
“E dëgjova se thonë është grim juridik, pajtohem. Jo vetëm që nuk e përmirëson dëmin ndaj sundimit të ligjit, por hapë rrugë të reja shtesë për represion dhe për populizëm të sigurisë. Propozim-ligji i dhjetorit të vitit 2025 do të thosha se është reagim i shpejtë ndaj një krize të ngathët. Defektet e tij thelbësore e bëjnë të prekshëm për kontestim para instancat ndërkombëtare, kjo më shqetëson pasi shërben më shumë për t’i kënaqur formalisht kërkesat e BE-së dhe veçanërisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Ana Çupevska, profesoreshë dhe anëtare e LSDM-së.
Profesori universitar, Sejfulla Osmani, kritikoi qasjen e ligjit sa i përket vjetërsimit të lëndëve lidhur me shpërdorimet zyrtare.
“Ne tërë kohën flasim për atë se është ndryshuar ligji që të shpëtojnë disa politikanë që kanë kryer vepra, të vjetërsohen veprat, por këtu e shoh ligjin e ri dhe këtu nuk shoh një dispozitë që për mua është shumë e rëndësishme. Pse është e rëndësishme, pasi pandëshkueshmëria është shumë e lidhur ngushtë me vjetërsimin dhe ne nga tërë ky aranzhman i ndryshimeve ligjore, sillemi në atë rreth se sa vite do të kalojnë, sa duhet të kalojnë që dikush të shpëtojë apo të mos jep llogari”, tha Sejfulla Osmani, Profesor universitar.
Avokati Aleksandar Tortevski, foli për disa segmente të ndryshimeve ligjore, ndërsa konstatoi se ndryshimet e vitit 2023, kur u liruan nga përgjegjësia penale shumë funksionarë, kanë shkaktuar dëm të pariparueshëm për sistemin gjyqësor.
“Patjetër duhet të them se ajo që ndodhi në vitin 2023 është një prej ndërhyrjeve më të rënda në sistemin juridik në cilindo shtet të civilizuar, për Evropën nuk besoj dhe s’kam mëdyshje. Nuk besoj se kudo qoftë, shtëpia legjislative të sjellë ligj me të cilin ka amnistuar një numër të madh të njerëzve që kanë qenë në funksione më të larta për krim shumë serioz. Tani ne këtu jemi të ftuar, praktikisht ta ngjyrosim shtëpinë që ata e kanë rrënuar”, u shpreh Aleksandar Tortevski, Avokat.
Këto ndryshime vijnë pasi Gjykata Kushtetuese në shkurt të vitit 2025 kishte shprehur dyshim se ndryshimet e Kodit Penal në shtator të vitit 2023 ishin në kundërshtim me Kushtetutën. Këtë, e kërkoi edhe Komisioni Evropian. Ndërkohë që përgatiteshin këto ndryshime, u krijua nevoja edhe për harmonizimin e ligjit me sistemin Safe City.
Qeveria, ka paralajmëruar se do të sjell Kod të ri Penal, megjithatë i njëjti ende nuk është gati. /Alsat.mk



