Shtyhet seanca e sotme për “Lotarinë”, gjykimi vazhdon më 11 nëntor

Seanca gjyqësore për rastin “Lotaria Shtetërore”, e cila duhej të mbahet sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, është shtyrë. Seanca e radhës është caktuar për 11 nëntor.

Në këtë rast janë akuzuar ish zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, ish drejtori i SHA “Lotaria shtetërore”, Përparim Bajrami dhe gjashtë persona të tjerë.

Seanca e fundit dëgjimore u mbajt më 30 tetor, kur dëshmoi Andrej Krstevski, këshilltar për zbatimin e projektit në SHA “Lotaria Shtetërore”, i cili më parë ishte anëtar i Bordit Drejtues dhe Mbikëqyrës, si dhe zëvendësdrejtor i ndërmarrjes. Ai dëshmoi rreth procesit të vendimmarrjes në ndërmarrje dhe procedurës për blerjen e terminaleve VLT.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë në lidhje me prokurimin e terminaleve VLT, dëshmitari deklaroi se ishte informuar për idenë personalisht nga Bajrami dhe shtoi se kishte mësuar për procedurën menjëherë pas përfundimit të saj nga individë që ishin anëtarë të komisioneve përgjegjëse për zbatimin e procedurave.

Ndërkohë, më 3 nëntor, Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Penale në Shkup hoqi urdhrin e paraburgimit për Bajramin dhe pranoi një garanci në pasuri të paluajtshme me vlerë prej 1,140,781 euro. Përveç garancisë, ndaj tij u vendosën edhe masa kujdesi, duke përfshirë sekuestrimin e dokumentit të udhëtimit dhe paraqitjen e rregullt në gjykatë.

Përveç Grubit dhe Bajramit, akuzohen edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.

Sipas aktakuzës, duke tejkaluar autorizimet e tyre zyrtare, ata i kanë shkaktuar dëm SHA “Lotaria Shtetërore” në shumë prej 596.125.511 denarësh. Të gjithë të pandehurit deri më tani në procedurë janë deklaruar të pafajshëm.

Aktakuzën e përfaqësojnë prokurorët publik Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ndërsa procedurën gjyqësore e udhëheq gjyqtarja Biljana Shuplinovska-Jovevski.