Maqedonia duhet të nxitojë me reformat

Përpjekje në luftën kundër korrupsionit,  miratimin e kodit penal dhe rezultate më të mira nga hetimet e rasteve korruptive në nivele të larta. Këto janë disa nga pritshmëritë për Maqedoninë, theksoi  zëvendësambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, Ben Nupnau, gjatë panelit të organizuar në Qeveri për Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2026.

Me fokus tek  vlerësimet e Brukselit për progresin e Maqedonisë, reformat që duhet të zbatohen dhe hapat e ardhshëm në procesin e integrimit evropian. Duke iu referuar pikave pozitive të raportit, zëvendës ambasadori ka thënë se presin që hapat për reazlimin e agjendës së reformave të jenë sa më të shpejtë, duke u ndalur tek gjyqësori, ai potencoi financim më të mirë të burimeve njerëzore në gjykata dhe prokurori, trajnim të gjykatësve dhe prokurorëve, apo në arsim, trajnimet dhe kualifikimet e mëtejshme të mësimdhënësve.

“Është më e rëndësishme që ligjet që do të miratojë qeveria, të cilat më pas do të kontrollohen nga organet e KE, por gjithsesi kur të hyjnë në parlament e rëndësishme është që aty nuk duhet të devijojnë rekomandimet që i janë dhënë,  të jenë të harmonizuara me qëllimet dhe prioritetet e BE. Presim që agjenda e reformave të zbatohet me tempo më të përshpejtuar”, ka thënë Nupnau.

Sa i takon çështjes me Bullgarinë, ministri i Jashtëm, Timço Mucunski u shpreh se duhet të gjendet një konsensus, por nëse nuk përmbushen rekomandimet dhe reformat e kërkuara sërish vitin e ardhshëm do të bëhen të njëjtat diskutime.

“Ka dallime fundamentale me atë që tregon Sofja zyrtare dhe nga aspekti ligjor shohim edhe detyrimet ligjore të ndërmarra nga qeveria e kaluar, kjo na vë në përballë faktit se nuk mund të kemi parashikueshmëri për procesin dhe prandaj e theksoj se procesi duhet të vendoset në një udhë të parashikueshme”, u shpreh ndër të tjera ministri Mucunksi. Sipas tij, asnjë raport deri në anëtarësimin e plotë nuk do të jetë ideal, por udhëzimet tregojnë se çfarë mund të bëjmë më mirë. Ai konsideron se edhe në fushat që kanë marrë vlerësimet më të larta ka ende gjëra që mund të përmirësohen.

Në diskutimin me titull “Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 – progresi dhe reformat“, ishin të pranishëm edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila foli për rezultatet e deritanishme dhe fushat në të cilat nevojiten reforma shtesë. Sipas saj, gjatë këtyre dy viteve e gjysmë është parandaluar “rënia e lirë e arsimit”, si dhe është shënuar një përparim i caktuar. Si çështje të rëndësishme që duhet të përmbushen në periudhën e ardhshme, Janevska listoi  miratimin e tri ligjeve për arsimin e lartë, veprimtarinë kërkimore-shkencore dhe cilësinë në arsimin e lartë.

Raporti i Komisionit Evropian është një nga dokumentet kryesore për vlerësimin e progresit të Maqedonisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve evropiane. (koha.mk)