LajmeMaqedoni

Demiri pas fitores së Isen Shabanit: Respektoj verdiktin e popullit dhe mbetem i përkushtuar

Kandidati i pavarur për Komunën e Vrapçishtit, Zuli Demiri, ka reaguar pas përfundimit të procesit të numërimit të votave në zgjedhjet lokale, duke shprehur mirënjohje për qytetarët dhe strukturat që e mbështetën gjatë fushatës.

Në deklaratën e tij, Demiri falënderoi 3.135 qytetarët që i besuan ofertës së tij politike, si dhe aktivistët e shumtë që kontribuuan në mënyra të ndryshme gjatë fushatës zgjedhore, duke theksuar se çdo mbështetje e dhënë ka pasur vlerë të veçantë për të.

Ai theksoi se, pavarësisht se rezultati final nuk ishte ai që pritej, vendimi i qytetarëve duhet respektuar, duke nënvizuar se vullneti i popullit është themeli i procesit demokratik. Me këtë rast, Demiri i uroi fitoren kundërkandidatit të tij, duke e pranuar rezultatin si vendim të sovranit.

Demiri bëri të ditur se angazhimi i tij për Vrapçishtin nuk përfundon me mbylljen e zgjedhjeve, por do të vazhdojë edhe më tej, i udhëhequr nga përgjegjësia dhe dashuria ndaj bashkëqytetarëve të tij.

“Sot u mbyll një proces zgjedhor, por jo edhe përkushtimi im ndaj qytetarëve të Vrapçishtit. Ky angazhim nuk ka qenë dhe nuk do të jetë i përkohshëm”, ka theksuar Demiri, duke falënderuar sërish qytetarët dhe duke lënë të hapur mundësinë për përballje të ardhshme elektorale.

Qëndrimi i Demirit vlerësohet si një shembull i respektimit të procesit demokratik dhe i një qasjeje konstruktive ndaj komunitetit lokal.

Related Articles

Back to top button
Close
Close