
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në fjalimin e tij në Kongres, theksoi se BDI mbetet një forcë politike e ndërtuar mbi vlera, sakrificë dhe përgjegjësi historike ndaj qytetarëve dhe shtetit.
Ahmeti deklaroi se ky Kongres nuk është thjesht një proces i rregullt partiak, por një moment reflektimi dhe orientimi për fazën e ardhshme politike, në një kohë kur vendi përballet me sfida serioze politike dhe institucionale.
“BDI nuk ka lindur për pushtet, por nga nevoja për paqe, barazi dhe drejtësi. Ne kemi dalë nga një periudhë e vështirë për vendin dhe kemi ndërtuar një projekt politik që synon bashkëjetesë, stabilitet dhe perspektivë evropiane”, theksoi Ahmeti.
Ai nënvizoi se BDI do të vazhdojë të mbrojë interesat e shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve, duke mos lejuar kthim prapa në të drejtat e fituara, ndërsa bëri thirrje për unitet dhe maturi politike.
Në fund të fjalimit, Ahmeti apeloi për angazhim të përbashkët, duke theksuar se vetëm përmes dialogut, përgjegjësisë dhe vizionit afatgjatë mund të ndërtohet e ardhmja e qëndrueshme e Maqedonisë së Veriut. shkruan Top24



