LajmeMaqedoniTopLajm

Maqedonia ende dështon në testin e dijes

Në Shkup u mbajt dialogu strategjik rajonal “Nga të dhënat në veprim: Krijimi i zgjidhjeve të përbashkëta për arsim cilësor në Ballkanin Perëndimor”, i organizuar nga UNICEF për Evropën dhe Azinë Qendrore, në bashkëpunim me OECD-në dhe Komisionin Evropian (KE), nën patronazhin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH). Në thelb të diskutimeve, u vu në pah se Maqedonia e Veriut ende përballet me sfida të thella strukturore, që e mbajnë të ngecur reformën arsimore në letër. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, pranoi se rezultatet e testimit ndërkombëtar PISA janë një sinjal alarmi që kërkon ndryshime të menjëhershme. “Duhet të punojmë në shumë aspekte njëkohësisht, nga forcimi i cilësisë së mësimdhënies dhe aktiviteteve jashtëshkollore, deri te mbështetja e mirëqenies së nxënësve dhe përgatitja për mënyrën se si testohen kompetencat e tyre”, tha Janevska.

Kjo deklaratë shënon një vetëdije institucionale për nevojën e transformimit të sistemit, por njëkohësisht hap edhe pyetjen se pse, pas çdo raporti ndërkombëtar, reagimi i politikëbërësve mbetet më shumë deklarativ sesa praktik. Realiteti në shkollat publike tregon se sfidat janë më të thella, ku mësuesit përballen me mungesë trajnimesh të qëndrueshme, kurrikulat mbeten të ngurta dhe shpesh nuk pasqyrojnë nevojat e tregut të punës, ndërsa infrastruktura e shumë shkollave nuk i përshtatet metodave moderne të mësimdhënies.

Në këtë kontekst, përfaqësuesja e UNICEF-it në Maqedoninë e Veriut, Leslie Miller, theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit konkret midis institucioneve dhe vendeve të rajonit. “Ky dialog riafirmoi angazhimin tonë të përbashkët për t’i mundësuar çdo fëmije të mësojë dhe të ketë sukses. Me fokus në veprime konkrete dhe bashkëpunim rajonal, ne mund të ndërtojmë një sistem arsimor më të fortë dhe më gjithëpërfshirës për të gjithë fëmijët”, deklaroi ajo.

Miller theksoi se UNICEF-i po përpiqet të imponojë në rajon, jo më politika të shkëputura e projekte afatshkurtra, por bashkërendim të vazhdueshëm dhe veprime të matshme në terren. Në thelb, ajo nënkupton se vendet si Maqedonia e Veriut nuk kanë nevojë për më shumë plane strategjike, por për mekanizma konkretë që garantojnë zbatimin e tyre.

Gjatë dy ditëve të punës, përfaqësues nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia shqyrtuan të dhëna krahasuese për performancën e sistemeve të tyre arsimore dhe ranë dakord për një varg masash të përbashkëta. Një nga rezultatet kryesore të këtij dialogu ishte marrëveshja për të kapërcyer hendekun midis universiteteve dhe shkollave, përmes reformimit të arsimit fillestar të mësuesve, në mënyrë që ata të jenë më të përgatitur për mësimdhënie moderne dhe për qasje të bazuar në kompetenca.

Po ashtu, u theksua se reformat duhet të jenë të prekshme në klasë dhe jo vetëm në dokumente. Në deklaratën e saj, UNICEF përsëriti qartë qëndrimin institucional, që “Reformat duhet të arrijnë në klasa, jo vetëm në letër”. Në fund të takimit, u vendos që të përgatitet një dokument teknik dhe analitik i përbashkët për gjithë Ballkanin Perëndimor, i cili do të shërbejë si udhëzues për reformat arsimore dhe për orientimin e politikave të ardhshme.

Megjithatë, për vendin, sfida kryesore mbetet ajo që përsëritet pas çdo konference ndërkombëtare, se si të kalohet nga premtimet te veprimi. Pasi zërat ndërkombëtarë tërheqin vëmendjen mbi domosdoshmërinë e reformave, mbetet detyrë e institucioneve vendore që këto rekomandime të mos mbyllen në raportet e UNICEF-it apo OECD-së, por të shndërrohen në realitet për çdo nxënës e çdo klasë në vend. (koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close