LajmeMaqedoniTopLajm

Mickoski: Njëherë Kongresi i partisë, pastaj rikonstruimi i Qeverisë

Kryeministri Hristijan Mickoski për momentin nuk planifikon rikonstruim të Qeverisë, por vetëm plotësimin e vendeve të liruara të ministrave. Fokusi i tij në periudhën e ardhshme do të jetë kongresi partiak i VMRO-DPMNE-së i caktuar për më 6 dhjetor në Kavadar dhe ndryshimet në fushën gjyqësore-prokuroriale. Ai gjithashtu mohoi se VLEN do të ketë resor më tepër në qeveri.

“Kjo që Mexhiti tani do të jetë kryetar komune, nuk do të thotë se partneri ynë i koalicionit do të ketë një resor më shumë. Kam një mendim të lartë për Bekim Salin, por kjo nuk do të thotë se do të ketë një vend më shumë në kabinetin qeveritar. Tani jemi të fokusuar në Kongresin e 6 dhjetorit në Kavadar, më pas në formimin e strukturës partiake, komitetit ekzekutiv dhe strukturave të tjera, dhe ndërkohë do të mendojmë për ndryshimet kadrovike në Qeveri. Unë jam mandatar, dhe është normale që fjala e fundit të jetë e imja”, theksoi Mickoski. Ai pret të marrë emrat për vendet e liruara në Qeveri dhe të shohë nëse ato emra i plotësojnë pritjet e tij.

“Rikonstruimi i Qeverisë nuk bëhet vetëm për t’u bërë. Duhet të mendohet mirë nëse zgjidhja e re kadrovike do të jetë më e mirë se ajo e mëparshme. Është një proces që kërkon analizë të mirë. Jam i gatshëm të bisedoj me të gjithë faktorët e Qeverisë dhe t’i dëgjoj. Çdokush që do të vijë në ndonjë pozitë, duhet të ofrojë program më të mirë, të sjellë rezultate më të mira se paraardhësi. Nëse vendosim një emër që nuk i ka këto, atëherë kot është rikonstruimi”, deklaroi Mickoski. I pyetur nëse është i pakënaqur prej ndonjë prej ministrave, Mickoski refuoi të jep përgjigje, por as nuk mohoi një gjë të tillë.

MICKOSKI: JEMI PARA SHQIPËRISË NË RRUGËN DREJT BE-së

Ndërkohë, kryeministri Mickoski komentoi edhe raportin e KE-së. Sipas tij, ky raport nuk është negativ për vendin, me vet faktin se nuk është nënvizuar regres. Megjithatë, Mickoski tha se i vetmi problem të cilin komisionerët evropian e notojnë janë ndryshimet kushtetuese.

“Nëse i bëjmë ndryshimet kushtetuese më të mirët do të jemi, pastaj do të marrim veto të re dhe probleme të reja. Atëherë sigurisht do të marrim 5-she dhe do të jemi kampion, por nga ajo që është atje e shkruar unë jam shumë i kënaqur, për shkak se nuk ka kthim prapa, ka stagnim në disa fusha, e dimë të gjithë dhe atë e flasim edhe ne, për qeverisjen e të drejtës, luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe prandaj pa ndal flas se duhet ndryshime në Këshillin Gjyqësor, në prokurori dhe tani pas mbarimit të zgjedhjeve, shumë më seriozisht do të merremi me atë çështje”, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski. Ai tha se në të gjitha fushat tjera vendi ka shënuar përparim.

Madje, Mickoski nuk pajtohet se Shqipëria është para Maqedonisë së Veriut sa i përket reformave të bëra. Ai kritikoi edhe diskursin e disa euro-komisionerëve të cilët thanë se Maqedonia e Veriut është në rangun e vendeve si Bosnje dhe Hercegovina dhe Kosova. Sipas Mickoskit, Maqedonia e Veriut është e dyta së bashku me Serbinë pas Malit të Zi, ndërsa më pas pasojnë Shqipëria Bosnje dhe Hercegovina dhe Kosova.

“Për shembull, ne jemi shumë përpara Shqipërisë, edhe pse disa nga eurokomisionerët japin deklarata të ndryshme. Madje, në 8 fusha jemi më të avancuar. Vlerësimi objektiv është se Mali i Zi është i pari, pastaj vijmë ne dhe Serbia, e më pas Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina… Por duhet të punojmë dhe do të punojmë. Unë jam i fokusuar në reformat, kjo qeveri është reformuese dhe ashtu do të vazhdojë”, tha Mickoski. Ai nuk deshi të komentojë nëse kërkon dorëheqjen e liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, pas humbjes në zgjedhjet lokale. “Kjo është çështje e tyre e brendshme. Ajo që do të ndodhë në LSDM apo në BDI, është punë e tyre”, shtoi ai.

MUCUNSKI: U VLERËSUA PUNA E MPJ-së

Ndërkohë, duke komentuar raportin për progresin e shtetit drejt Bashkimit Evropian, ministri Mucunski theksoi se pikërisht në këtë raport puna e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme është vlerësuar më lart.

“Politika e jashtme dhe bashkëpunimi rajonal janë vlerësuar më së larti. Morëm lëvdata për harmonizimin me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, si dhe për partneritetin historik në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Në një periudhë të ndërlikuar gjeopolitike, kur marrëdhëniet transatlantike nuk janë siç kanë qenë dhe në kushte konfliktesh në shumë pjesë të botës, politika e jashtme është pozicionuar më lart përmes prizmit të vlerave që i çmon Bashkimi Evropian, duke ruajtur njëkohësisht partneritetin strategjik me SHBA-të”, theksoi Mucunski.

Duke iu referuar vërejtjeve në raport që lidhen me sundimin e ligjit, ministri theksoi se Qeveria në periudhën e ardhshme do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të eliminuar të gjitha dobësitë, pas së cilës do të pritet veprim i duhur nga institucionet e drejtësisë. (koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close