
Prokuroria Themelore Publike Shkup ka hapur procedurë hetimore kundër katër individëve dhe një firme për shkak të dyshimeve se kanë depozituar në mënyrë të paligjshme mbetje të rrezikshme elektronike dhe elektrike në një parcelë në Trubarevë, njofton Top24
Sipas hetimeve, i dyshuari kryesor, edhe pse nuk ka qenë zyrtarisht menaxher i firmës, ka organizuar punën dhe vendosur për menaxhimin e mbetjeve, ndërsa në veprimet e tij kanë marrë pjesë edhe vajza e tij dhe dy persona të tjerë.
Më 13 shtator, objekti me mbeturina u përfshi nga flakët, duke shkaktuar ndotje të madhe të ajrit dhe tokës. Matjet nga autoritetet konfirmuan nivel të lartë të ndotjes. Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin kryesor dhe arrest shtëpiak për tre të tjerët, ndërsa hetimi vazhdon.



