LajmeMaqedoni

Së shpejti fillon ndërtimi i shkollës së re Tekstile

Me ndërtimin e objektit edhe për Gjimnazin, pritshëmritë janë që të ketë interesim më të madh për regjistrim, sepse viteve të fundit dukshëm ka rënë interesimi për të mësuar në Gjimnazin e dytë në Tetovë “7 Marsi”

Tetovë, 26 gusht – Punimet pë rrënimin e objektit të Shkollës së Mesme Profesionale Tekstile “Gjoce Stojçevski” janë në përfundim dhe më pas pritet që të hidhet gurrthemeli për ndërtimin e objekteve të Shkollës së Mesme Tekstile dhe Gjimnazit “7 Marsi”. Aktualisht është duke u pastruar tereni nga mbetjet e rrënimit të objektit të vjetër ndërsa pasi që të bëhet pastrimi i tërësishëm, do të fillohet me punë për ndërtimin e objekteve. Punimet shkojnë sipas dinamikës së paraparë dhe afati i përfundimit të fazës së parë është 12 muaj, thonë nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës.

“Është një investim në vlerë rreth 148 milionë denarë dhe punimet zhvillohen sipas dinamikës së paraparë dhe jemi në fazën e rrënimit të objektit të vjetër, do të vazhdohet me pastrimin e mbetjeve dhe me tamponimin e hapësirës ku edhe do të vendoset gurrëthemeli. Sipas kontratës së nënshkruar, faza e parë duhet të përfundojë për një periudhë prej 12 muajve dhe më pas do të zhvillohen edhe procedurat tjera për fillimin e fazës së dytë të ndërtimit të objektit”, deklaroi Nazmi Dauti, nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës.

Krahas objektit për Shkollën e Mesme Tekstile, në të njejtin vendin do të ketë objekt edhe për Gjimnazin “7 Marsin”. Me ndërtimin e objektit edhe për Gjimnazin, pritshëmritë janë që të ketë interesim më të madh për regjistrim, sepse viteve të fundit dukshëm ka rënë interesimi për të mësuar në Gjimnazin e dytë në Tetovë “7 Marsi”.

“Këtu bëhet fjalë për ndërtimin e objektit të Shkollës së Mesme Profesionale ‘Gjoce Stojçevski’, normalisht që këtu do të transferohet dhe do të ndërtohet objekti për Gjimnazin e dytë ‘7 Marsi’, duke patur parasysh faktin se ndër vite kemi pasur problem me objektin e Gjimnazit ‘7 Marsi’ ku shkaku i largësisë, nxënësit nuk kanë dashur të regjistrohen në atë shkollë. Mirëpo, me ndërtimin e objektit të ri, Gjimnazi ‘7 Marsi’ do të transferohet në objektet e reja që do të ndërtohen, dhe me këtë besojmë dhe shpresojmë që më pas do të ketë edhe fluks më të madh të nxënësve që do të regjistrohen në këtë gjimnaz”, tha Dauti.

Ndërkohë,fillimi i vitit të ri shkollor nxënësit e Shkollës së Mesme Tekstile do t’i presë të ndarë. Disa prej tyre do të ndjekin procesin mësimor me prezencë fizike në Shkollën Fillore “Besa” në Reçicë të Vogël dhe disa të tjerë me mësim online.

“Udhëheqësia e shkollës dhe sektori për arsim kemi ardhur në përfundim që nga 1 shtatori deri më 31 tetor me prezencë fizike të jenë vitet e para kurse vitet e dyta, të tretat dhe të katërtat do të mësojnë online. Në atë shkollë ka edhe disa hapësira të cilët mund të adoptohen për klasa dhe pas një tetorit vitet e para dhe të tretat do të mësojnë me prezencë fizike kurse vitet e dyta dhe të katërtat online. Ndërsa, herë pas herë do të ketë edhe rotacione për sa i përket mësimin online dhe prezencës fizike”, deklaroi drejtori i Shkollës së Mesme Profesionale Tekstile “Gjoce Stojçevski”, Muzafer Livoreka. Ndryshe, objekti i Shkollës së Mesme Profesionale Tekstile u ndërtua në vitin 1953. (koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close