Videot intime të personazheve publike, Policia e Tiranës me njoftim zyrtar

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka nisur hetimet kryesisht pas konstatimit të publikimit dhe shpërndarjes në disa portale dhe platforma online të materialeve filmike me përmbajtje intime.

Sipas policisë, çështja po hetohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, i cili ka nisur veprimet për identifikimin e personave dhe burimeve të përfshira në publikimin dhe shpërndarjen e këtyre materialeve.

Në kuadër të hetimeve po punohet për identifikimin e adresave IP, si dhe të dhënave të tjera të faqeve dhe profileve që kanë publikuar apo shpërndarë videot.

Paralelisht, autoritetet kanë nisur procedurat për heqjen e materialeve nga platformat online ku ato janë publikuar.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, ndërsa hetimi po zhvillohet për disa vepra penale që lidhen me cenimin e privatësisë dhe sigurisë së të dhënave kompjuterike.

Konkretisht, bëhet fjalë për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.

Nisja e hetimeve nga Policia e Tiranës vjen pas qarkullimit të gjerë të materialeve intime në rrjetet sociale dhe platforma të ndryshme online, duke e kaluar tashmë çështjen edhe në planin e hetimit penal. /TCH/