
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka kujtuar përvjetorin e 24 të rënies së komandantit Tahir Sinani i cili ra heroikisht në Tanushë të Gostivarit më 29.Korrik të 2001. Së bashku me Tahir Sinanin jetën e humbën edhe disa bashkëluftëtarë të tij si Naser Ademi, Hyrë Emini, Brahim Ademi dhe Hisë Fazliu, pesë trima që u bënë një emër i përbashkët i sakrificës dhe lavdisë, shkruan Top24
Më 29 korrik 2001, në Tanushë të Gostivarit, ra Tahir Sinani, një nga figurat më të ndritura të luftës sonë për çlirim kombëtar. Tahiri nuk ishte thjesht komandant, ai ishte urtësia dhe guximi në të njëjtën kohë. Ishte aty ku vendosej fati i betejave dhe qëndronte aty ku duhej zemra e madhe. Luftoi në çdo vatër të rezistencës shqiptare, gjithmonë në vijën e parë, gjithmonë përpara.
Por ai nuk ra vetëm. Me të ranë Naser Ademi, Hyrë Emini, Brahim Ademi dhe Hisë Fazliu, pesë trima që u bënë një emër i përbashkët i sakrificës dhe lavdisë. Tanusha u bë vend i përjetësimit të një ideali: liria nuk dhurohet, ajo fitohet me gjak të pastër.
Lavdi jetës dhe veprës së Tahir Sinanit! Lavdi për shokët e tij të armës, që ranë për të mos vdekur kurrë!



