
Robert Lewandowski është shfaqur i qetë dhe i përqendruar në objektivat e sezonit të ri, pavarësisht pikëpyetjeve për të ardhmen e tij te Barcelona. Pas stërvitjes së parë të skuadrës katalanase në Japoni, ku do të përballet me Vissel Kobe, sulmuesi polak iu përgjigj pyetjeve të medieve, duke folur për formën e ekipit, pritshmëritë e sezonit, Ligën e Kampionëve, kontratën e tij dhe shokët e rinj të skuadrës.
Përgatitjet dhe objektivat: “Jemi këtu për të punuar fort dhe për t’u përgatitur mirë për sezonin. Kemi kohë për ta bërë këtë siç duhet. Për mua, golat janë të rëndësishëm, por më e rëndësishme është se ku duam të arrijmë si ekip dhe sa trofe duam të fitojmë. Mund të ndihmoj jo vetëm me gola, por edhe me lojën time. Besoj se mund të luajmë më mirë se sezonin e kaluar, kemi fituar përvojë dhe kemi një grup të ri, por me potencial të madh.”
Për kontratën: “Nuk e di nëse ky do të jetë viti im i fundit te Barça. Jam i qetë. Nuk është koha të flasim për fundin e sezonit, por për atë çfarë mund të bëj tani. Më intereson më shumë ajo që ndiej në zemër dhe në kokë.”
Për sezonin e ri dhe Champions League: “Ky sezon do të jetë më i vështirë, sepse çdo ekip dëshiron të na mposhtë. Në Ligën e Kampionëve ka shumë faktorë që ndikojnë, përfshirë dëmtimet. Ne e dimë se çfarë duam, por rruga është e gjatë. Duhet të mendojmë hap pas hapi, ndeshje pas ndeshjeje, jo për finalen.”
Për kapitenët: “Nuk është diskutuar për çështjen e kapitenit. Të gjithë në ekip mund të ndihmojnë në mënyrën e tyre, jo vetëm kapitenët.”
Për Marcus Rashford: “Është një lojtar me talent të jashtëzakonshëm. E mbaj mend kur luajtëm kundër Manchester United, ishte në formë të shkëlqyer. Mund të na ndihmojë shumë, sidomos duke luajtur në disa pozicione. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse kemi shumë ndeshje përpara.”
Për Lamine Yamal: “Lamine nuk është më fëmijë, edhe pse sapo ka mbushur 18 vite. Jo vetëm që është lojtar i mirë, por edhe djalë shumë i mirë. Kemi kontakt edhe jashtë fushës. Jam i bindur se këtë sezon do të jetë edhe më i mirë se më parë.”



