Me mbështetjen e Turqisë, nis ndriçimi i ri i Urës së Gurit në Shkup

Në Shkup kanë nisur punimet për ndriçimin dekorativ dhe arkitektonik të Urës së Gurit historike, e cila lidh dy brigjet e lumit Vardar dhe daton që nga periudha osmane.

Ura e Gurit, një nga simbolet më të rëndësishme të Shkupit, që lidh qendrën moderne të qytetit me Çarshinë e Vjetër historike, do të marrë pamje të re gjatë natës falë një projekti ndriçimi, duke nxjerrë edhe më shumë në pah vlerat e saj historike dhe arkitektonike.

Projekti realizohet në kuadër të bashkëpunimit midis Qytetit të Shkupit, Komunës së Esenlerit dhe Halkbank Shkup.

Me ndriçimin dekorativ dhe arkitektonik, i cili do të realizohet në përputhje me karakterin historik të Urës së Gurit, ura pritet të spikasë edhe më shumë gjatë natës si një nga simbolet e njohura të Shkupit.

Qyteti i Shkupit njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se: “Ura e Gurit po merr një shkëlqim të ri! Kanë nisur punimet për ndriçimin dekorativ dhe arkitektonik të njërit prej simboleve më të njohura të Shkupit”.

“Ndriçimi i ri do të nxjerrë në pah vlerat e saj historike e arkitektonike dhe do të krijojë një pamje të veçantë në panoramën e natës së qytetit. Projekti po realizohet në kuadër të bashkëpunimit miqësor me Komunën e Esenlerit”, thuhet mes tjerash në njoftim.