
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Lumir Abdixhiku, i ka quajtur të pavërteta deklarimet e deputetit të LVV-së, Agim Bahtiri se LDK-ja dhe PDK-ja në ditët në vijim do të bëjnë një koalicion për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit.
“Absolutisht e pavërtetë. Kush është Agim Bahtiri me bë temë kështu. Kjo nuk është e rëndësishme. Qëndrimet dhe pozicionet e LDK-së i dini”, tha ai.
Sipas tij, pasi të kalon afati i paraparë në aktgjykimin e kushtueses duhet një interpretim i ri nga ky institucion dhe të shihet sesi të procedohet tutje me vazhdimin e seancave çdo 48-orë apo jo.
Krahas kësaj, ai i bëri thirrje prokurorisë që të veprojë pas vendimit të Gjykatës Supreme, ku theksohet se një deputet i certifikuar nuk mund të ushtrojë edhe poste në ekzekutiv.
“Sot po bëhen 1 javë që nga vendimi i Gjykatës Supreme që konstaton përfundimisht se ministrat dhe kryeministri janë uzurpator të qeverisë. Prokuroria duhet të veprojë pasi është e paprecedent”, theksoi Abdixhiku.



