LajmeMaqedoniTopLajm

Gratë në listë, por jo në pushtet – përfaqësimi real ende larg barazisë

Edhe pse Maqedonia e Veriut shënoi një hap historik me zgjedhjen e gruas së parë presidente, realiteti politik vazhdon të tregojë një tjetër histori – atë të përjashtimit sistematik të grave nga nivelet e larta të vendimmarrjes, sidomos në qeverisjen lokale dhe pozitat ekzekutive.

Në prag të zgjedhjeve lokale, Aleanca për Barazinë Gjinore në Vendin e Punës – GEA ka analizuar përfaqësimin e grave në politikën maqedonase dhe ka nxjerrë në pah një sërë sfidash që ende pengojnë pjesëmarrjen e barabartë të grave.

Kuotat ligjore ekzistojnë, por realiteti mbetet i pabarabartë. Përfaqësimi i grave në listat zgjedhore ka parë përmirësime të dukshme që nga viti 2002, kur u vendos kuota prej 30%, e rritur më vonë në 40%. Megjithatë, në praktikë, gratë shpesh vendosen në pozicione më pak të favorshme në listat e kandidatëve, duke e bërë të vështirë për to që të zgjidhen dhe të kenë ndikim real.

Sipas të dhënave për vitin 2024, përfaqësimi i grave në listat parlamentare ka rënë në 39.2%, një ulje krahasuar me vitet 2021 dhe 2022. Ndërkohë, në pushtetin ekzekutiv, përfaqësimi i grave mbetet në nivele minimale. Nga 20 ministra, zakonisht vetëm 2–4 janë gra. Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, u zgjodhën vetëm dy gra kryetare komunash në gjithë vendin.

Sipas GEA-s, barazia gjinore nuk është vetëm një çështje drejtësie shoqërore, por edhe një standard evropian dhe një mjet për qeverisje më të mirë. Bashkimi Evropian ka vendosur objektiva të qarta për rritjen e përfaqësimit të grave në politikë, duke e lidhur këtë me efikasitetin e institucioneve, transparencën dhe besimin e qytetarëve.

Por për Maqedoninë, rruga drejt këtyre standardeve duket ende e gjatë. Gjatë viteve, përfaqësimi i grave ka ndryshuar falë reformave ligjore, por pjesëmarrja cilësore dhe efektive në vendimmarrje mbetet një sfidë.

Sasia nuk garanton cilësi. Gratë në politikë përballen ende me barriera strukturore, stereotipe të thella dhe mungesë të mbështetjes institucionale,” theksojnë nga Aleanca GEA, duke bërë thirrje për masa të reja, të matshme dhe të zbatueshme, që shkojnë përtej kuotave – drejt krijimit të një sistemi politik realisht gjithëpërfshirës.

GEA, e mbështetur nga kompani dhe organizata të shumta si Eurolink, Casys, Halkbank, Philip Morris, Pivara Shkup dhe të tjera, vazhdon të punojë për rritjen e ndërgjegjësimit dhe përfshirjes së grave në vendimmarrje.

Më shumë informacione për aktivitetet dhe mundësitë e bashkëpunimit me Aleancën për Barazinë Gjinore në Vendin e Punës mund të gjenden në: https://genderequalityalliance.org

Related Articles

Back to top button
Close
Close