
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç u tha gazetarëve në Beograd të hënën se Serbia ndaloi eksportimin e armëve në Izrael pasi ky i fundit filloi të sulmonte Iranin.
Duke iu përgjigjur pyetjeve në një konferencë për shtyp, Vuçiçi tha se Serbia ishte i vetmi vend në Evropë që kishte eksportuar armë në Izrael pas sulmit të Hamasit më 7 tetor. Por ai tha se pas sulmit të Izraelit javën e kaluar ndaj Iranit vendi e ka ndalur këtë gjë.
“Tjetër gjë është fakti që eksportonim pas 7 tetorit dhe tjetër gjë është situata sot. Tani kemi ndaluar gjithçka dhe po ia dërgojmë ushtrisë sonë”, tha Vuçiç.
Një investigim i BIRN në fillim të këtij viti tregoi se si Serbia eksportoi 42.3 milionë euro armë dhe municione në Izrael në vitin 2024 – një rritje 30-fish që nga viti 2023.
“Unë kam qenë ministër i mbrojtjes dhe e di si shkojnë gjërat – licenca nga ministri të ndryshme, agjenci të inteligjencës së sigurisë, organe qeveritare dhe joqeveritare… Dhe i mblodhëm të gjitha brenda katër ditësh, dhe ia dolëm.”
Për shkak të kësaj, një nga udhëheqësit e opozitës serbe, Dragan Djilas, e quajti regjimin e Vuçiçit një rrezik për vendin.
“Me fjalë të tjera, kemi një president që nuk është normal, i cili mburret që e bën këtë. Edhe të tjerët po eksportojnë, por të paktën ata heshtin, kurse ju mburreni për këtë”, tha ai.
Përveç kësaj, eksportet e armëve dhe municioneve të Serbisë në Ukrainë janë bërë një problem për Rusinë. Në qershor 2024, Financial Times raportoi se eksportet e municioneve të Serbisë që mbërrijnë në Ukrainë nëpërmjet palëve të treta arritën në total rreth 800 milionë euro që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Duke komentuar këto vlerësime, Vuçiçi tha se eksporti ishte “një pjesë e rivitalizimit tonë ekonomik dhe i rëndësishëm për ne”.
“Po, ne eksportojmë municionet tona”, tha ai në një intervistë me gazetën. “Ne nuk mund të eksportojmë zyrtarisht në Ukrainë ose në Rusi… por kemi pasur shumë kontrata me amerikanë, spanjollë, çekë, të tjerë. Ajo që bëjnë ata në fund është puna e tyre.”
“Duket se dëshira e prodhuesve të armëve serbe dhe patronëve të tyre për të përfituar nga gjaku i popujve vëllazërorë sllavë i ka bërë ata të harrojnë plotësisht se kush janë miqtë e tyre të vërtetë dhe kush janë armiqtë e tyre”, u ankua SVR.



