Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e OKB-së, Amina Mohammed, tha të hënën se palestinezët në Rripin e Gazës nuk po marrin sigurinë, ndihmën ose rimëkëmbjen që u nevojitet, pavarësisht një armëpushimi, transmeton Anadolu.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit, ne pohojmë një të vërtetë të qëndrueshme: Populli palestinez ka të drejtë për dinjitet, drejtësi dhe vetëvendosje”, tha Mohammed në fjalimin e mbajtur në emër të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, në një takim të posaçëm në Nju Jork që shënoi këtë ditë.
“Nuk ka kohë për të humbur. Asnjë justifikim për mosveprim. Dhe asnjë vend për pandëshkueshmëri”, tha ajo.
Duke e përshkruar shkatërrimin në Gaza si “tronditës”, ajo tha se dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë dhe shtëpitë, shkollat dhe spitalet janë shndërruar në rrënoja, ndërsa po afrohet një tjetër dimër.
Ajo theksoi se “asgjë nuk mund të justifikojë ndëshkimin kolektiv të popullit palestinez”. “Solidariteti duhet të nënkuptojë më shumë sesa të dëshmosh vuajtjet. Duhet të nënkuptojë të veprosh për t’i dhënë fund atyre”, shtoi ajo.
Lidhur me Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor, ajo tha se dhuna e kolonëve, prishjet, dëbimet, konfiskimet e tokës dhe zhvendosja po i largojnë familjet palestineze nga shtëpitë e tyre në një shkallë të paparë prej brezash.
Ajo tha se zgjerimi i kolonive izraelite, përfshirë përpjekjet për të çuar përpara planin E1, kërcënon qëndrueshmërinë e zgjidhjes me dy shtete, duke shtuar se: “Këto aktivitete duhet të ndalen menjëherë”.
Mohammed tha gjithashtu se punonjësit humanitarë nuk duhet të jenë kurrë në shënjestër dhe se ndihma nuk duhet të “pengohet, devijohet ose përdoret si një monedhë negociuese” kurrë. Ajo u kërkoi shteteve anëtare të ofrojnë mbështetje politike dhe financiare për Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), duke vënë në dukje se duhet të lejohet të përmbushë mandatin e saj.
Lidhur me rrugën përpara, ajo tha se rimëkëmbja duhet të udhëhiqet nga palestinezët, duhet të shkojë përtej rindërtimit të infrastrukturës dhe nuk mund të zëvendësojë një zgjidhje politike. Një vlerësim i përbashkët i OKB-së dhe Bankës Botërore zbuloi se konflikti ka zhbërë 77 vjet zhvillim njerëzor në Gaza, tha ajo.
“Nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme pa realizuar të drejtën legjitime të popullit palestinez për vetëvendosje”, tha ajo, duke e quajtur zgjidhjen me dy shtete “të vetmen rrugë të qëndrueshme përpara”.


