
Vasfije Krasniqi, gruaja e parë që rrëfeu publikisht për dhunimin seksual që e përjetoi gjatë luftës, ka publikuar fotografi me Ramadan Nishorin.
Nishori sot rrëfeu për herë të parë dhunimin ndaj tij, duke u bërë burri i parë që flet publikisht për këtë temë.
Vasfije Krasniqi ka thënë se rrëfimi është akt trimërie.
Postimi:
Faleminderit nga zemra gjithë popullit tonë, që në heshtje apo me zë të lartë, është bërë pjesë e përkrahjes për vuajtjet tona, për dhimbjen e pashëruar që solli dhuna seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Të folurit për këtë plagë nuk është thjesht një rrëfim – është një akt trimërie, një hap që kërkon forcë përtej fjalëve.
Për Ramadan Nishorin, nuk ishte një vendim i lehtë të dalë publikisht. Të ndash një pjesë kaq të ndjeshme të vetes me botën, në një shoqëri që ende mëson si të dëgjojë me ndjeshmëri, është një guxim që frymëzon. Ai nuk foli vetëm për veten – ai foli për shumë të tjerë që ende nuk e gjejnë dot zërin.
Faleminderit Radio Televizionit të Kosovës dhe të gjitha mediave që u bënë pjesë e këtij momenti, që nuk ishin aty vetëm si raportues, por si mbështetje emocionale, si dëshmitarë të një kapitulli që shkruhet me ndjeshmëri dhe dinjitet. Prania juaj dha mesazhin që nuk jeni vetëm – që shoqëria jonë mund të mësojë, të ndryshojë dhe të kujtojë me respekt ata që e thyejnë heshtjen për të na treguar të vërtetën.



