
Skuadra e Shkëndijës U16, e drejtuar nga trajneri Agron Memedi, ka regjistruar fitore në ndeshjen miqësore të zhvilluar të premten ndaj Teteksit, duke triumfuar falë golave të Leart Salihit dhe Ron Memetit.
Përballja shërbeu si testi i parë ku minutazhë morën të gjithë futbollistët e ekipit, pavarësisht temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin. Ndeshja u zhvillua në kuadër të fazës përgatitore, ku kuqezinjtë po punojnë intensivisht për ta pritur sa më të përgatitur sezonin e ri në Superligën e kësaj grupmoshe.
Trajneri Agron Memedi u shpreh i kënaqur me angazhimin e futbollistëve, duke theksuar se rezultati është më pak i rëndësishëm sesa progresi i ekipit.
Agron Memedi: “Ishte një test shumë i mirë për ne. Më gëzon fakti që të gjithë futbollistët morën minuta dhe treguan disiplinë e dëshirë për punë, edhe pse kushtet ishin shumë të vështira për shkak të vapës. Jemi në një fazë të ngarkuar përgatitore dhe synimi ynë është që dita-ditës ta ndërtojmë një skuadër konkurruese, të gatshme për sfidat e Superligës. Kemi ende shumë punë, por ajo që pashë në fushë më jep besim se jemi në rrugën e duhur.”
Fitorja ndaj Teteksit përbën një sinjal pozitiv për Shkëndijën U16, e cila po vazhdon përgatitjet me ritëm të lartë, me synimin për të qenë ndër skuadrat pretendente në kampionatin e ri.



