
Deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, ka thënë se i kanë numrat për formimin e qeverisë.
Por, ai nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se si i kanë siguruar ato vota.
I pyetur më pas nëse i kanë numrat, Murati është përgjigjur: “Patjetër që po. 61 – sa më shumë aq më mirë”.
“Sipas Kushtetutës, me vota të deputeteve të Kuvendit”, ka thënë ai, duke refuzuar të tregojë nëse kanë arritur ndonjë marrëveshje koalicioni meqë pa një të tillë Vetëvendosje e vetme s’i ka numrat.
“Për të gjitha këto (koalicionet me parti) është çështje e subjektit, pra sekretariatit të Vetëvendosjes. Patjetër që do t’i kemi votat”, ka thënë ai.
Edhe disa deputetë të tjerë nga Vetëvendosje të enjten kanë shprehur optimizëm se i kanë votat për formim të qeverisë pa treguar se si i kanë siguruar.
Deklaratat e tyre vijnë dy ditë pas deklaratës së nënkryetarit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se pa koalicion s’do ta kenë të mundur formimin e qeverisë.



