
Nga sot Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka Kryepeshkopin e saj të ri, Fortlumturinë e tij Joanin, i cili u zgjodh nga Sinodi i Shenjtë dy javë më parë. Në ceremoninë e Fronëzimit, në një zë klerikët ortodoksë e quajtën të denjë zgjedhjen e Kryepeshkopit në krye të Kishës Autoqefale Ortodokse.
Në fjalën e tij të parë si Kryepeshkop, Joan Pelushi foli për sfidën e ringritjes së besimit në Shqipërinë ateiste, konstributin e paraardhësit të tij të ndjerit Anastas Janullatos, dhe veçoi nevojën për vazhdimin e forcimit të unitetit të Kishës.
“Çdo kohë ka patur sfidat e saj. Shekulli ku jetojmë me teknologjitë e reja, paraqet sfida të reja dhe nga këto nuk përjashtohet as kisha jonë. Na duhet të përballemi jo vetëm për t’u mbrojtur por edhe të gjejmë zgjidhje. Përpjekja dhe përqendrimi ynë, ruajtja dhe mbrojtja nga Perëndia, forcimi i unitetit brenda kishës nevojë e domosdoshme për të arritur qëllimin e saj”.
I pranishëm në ceremoni, ishte edhe Presidenti i vendit Bajram Begaj, që fronëzimin e Kryepeshkopit Joan e quajti një kapitull të ri.
“Fronëzimi i Fortlumturisë së tij, Kryepeshkopit Joan, shënon një kapitull të ri në jetën shpirtërore të vendit tonë, me shpresë dhe përgjegjësi, është një moment solemn që përmbledh në vetvete vazhdimësinë. Nuk mund të mos ndalem për të shprehur mirënjohjen tonë të thellë për kryepeshkpin Anasatas, i cili për dekada me radhë shërbeu me urtësi dhe përkushtim duke i dhënë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, forcë dhe dritë”.
Në fronëzimin e Kryepeshkopit nuk mungoi as kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ndau urimin e tij.
“Ditë e madhe për besimtarët ortodoks shqiptarë, por për të gjithë besimtarët shqiptarë. Fronëzimi i Fortlumturisë së tij Joani, si Kryepeshkop i Kishës Autoqefale Shqiptare, Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, është një ngjarje e madhe në historinë shpirtërore të këtij kombi. Vazhdimi i traditës më të shkëlqyer të Fan Nolit, Kryepeshkopit Janullatos, dhe i uroj nga zemra, shumë e shumë vite të bekuara në dinjitet dhe sukses në udhëheqjen e Kishës”.
Ceremonia e Fronëzimit i hap rrugë Kryepeshkopit të ri, të drejtën e ushtrimit të detyrës së tij me të gjitha kompetencat, ku pjesë e saj ishin përfaqësuesit më lartë nga kishat e ndryshme të botës, krerëve më të lartë të shtetit shqiptar e të ftuar nga Greqia, mes tyre ministri grek i Mbrojtjes Nikos Dendias.
Ceremonia u ndoq edhe nga shumë besimtarë.
Joan Pelushi, ka lindur në Tiranë në vitin 1956 dhe ka një përvojë të gjatë në jetën teologjike dhe kulturore të Shqipërisë.
Në vitin 1990 u largua nga Shqipëria për në SHBA ku kreu studimet në teologji në Boston, për t’u rikthyer më 1992.
Në vitin 1996 u emërua dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe 1998 u zgjodh dhe u dorëzua peshkop, si mitropolit i Korçës.
Tv Klan



