
Aktivistët e nismës “Asnjëcentmëshumë” i kanë bërë një “dhuratë” simbolike kryetarit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahut, një tortë me mbishkrimin “15%” në një parking në Prishtinë të enjten.
Në videon e publikuar në Facebook, shihet se Fejzullahu e injoroi “dhuratën” dhe nuk e pranoi, ndërsa aktivisti Dibran Hoxha e hodhi tortën kur ai hyri në veturë.
Ky veprim është bërë pas propozimit të ZRRE-së për një rritje të mundshme prej 15% të çmimit të energjisë elektrike, e cila pritet të hyjë në fuqi nga muaji prill.
Këtë rritje ZRRE e bëri të ditur më 14 mars, kur publikoi raportin konsultativ për të hyrat maksimale të lejuara, ku parashihet shtrenjtimi i tarifave të energjisë.
Zyra e Rregullatorit për Energji ka ftuar palët e interesuara të shqyrtojnë raportin dhe të japin komente mbi këtë propozim deri më 28 mars.
Aktivistët e nismës “Asnjëcentmëshumë” kanë paralajmëruar protestë të shtunën, më 30 mars, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke kërkuar që të kundërshtohet rritja e paralajmëruar e çmimit të energjisë.
Protesta do të mbahet duke filluar nga ora 15:00.



