
Gjatë një konference për mediat, Sali Berisha, u është përgjigjur pyetjeve në lidhje me koalicionin parazgjedhor, ku PD do të garojë më 11 Maj dhe me 25 parti të tjera.
Berisha deklaroi se aleatët e koalicionit i meritojnë 8 kandidatë në lista të sigurta, pasi sipas tij, ata përfaqësojnë 1/3 e elektoratit.
Lideri demokrat tha se po t’i marrë veç e veç si parti, ato mund të konsiderohen modeste, por të gjitha bashkë kanë qindra mijëra vota.
Por, të konsiderosh veten opozitar, duhet të ndjehesh i tillë dhe duhet të kesh lirinë për ta ndjerë. Një koalicion shumë i mirë u bë, natyrisht në këtë koalicion vërtet PD ka dhënë 8 vende në listat e garantuara, por demokratët dhe mbështetësit tanë duhet ta dinë se këto 26 parti në tërësinë e tyre përfaqësojnë herë-herë edhe një të tretën e elektoratit shqiptar. Pavarësisht se të marra veçmas janë parti modeste në votat e tyre, por të marra së bashku kanë një elektorat qindra mijëra votash. Dhe unë u them se kjo është një fitore e vërtetë e aleancës për Shqipërinë Madhështore. Ndaj edhe e përshëndes sot dhe garantoj se është në përputhje me statutin e partisë.
Sikundër, përcaktimet statusore për kuotat e vajzave dhe grave në listat e mbyllura dhe të hapura dhe për kuotat e të rinjve në të dy palët e listave, janë eprore ndaj gjithçkaje tjetër për listat e PD-së. Askush të mos mendojë se ne nuk i qëndrojmë ligjeve të Kushtetutës sonë, statutit tonë. Pra, shikoni çfarë procesi. Imagjinoni padrinon në bodrumin e tij, që nuk dini asnjëri prej jush se kush kandidon në këtë qark apo atë qark sepse listat po bëhen nga organizatat e tjera kriminale. Ka një panik, ka një tmerr në radhët e partisë së krimit”, – tha Berisha.



