
Përshpejtimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor ishte një nga panelet e Konferencës së 61-të të Sigurisë në Mynih që përfundoi dje në kryeqytetin e Bavarisë.
Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili mori pjesë në këtë panel së bashku me Komisioneren për Zgjerim të BE-së Marta Kos dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, tha se në vend të evropianizimit të Ballkanit, ne jemi përballë ballkanizimit të Evropës dhe standardeve të dyfishta nga BE-ja. Eurokomisionerja Kos, ndërkaq, tha se gjatë këtij mandati të Komisionit Evropian dëshirojnë t’i përfundojnë negociatat për anëtarësim me dy-tri shtete.
Në margjinat e konferencës të shtunën u zhvillua takimi i parë ndërmjet ministrit të Jashtëm Timço Mucunski dhe homologut të tij bullgar Georg Georgiev, me të cilin biseduan për nevojën për të zhbllokuar rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në BE.
Kryeministri Mickoski, në panelin kushtuar anëtarësimit të Ballkanit në BE, vuri në dukje se rruga e Maqedonisë drejt BE-së “ka filluar shumë përpara se të fillonte procesi i integrimit evropian të Shqipërisë, madje edhe para Kroacisë, por për ne sistemi i meritave është një përrallë”.
“Për ne përralla është kthyer në një objektiv lëvizës. Jemi viktima të bilateralizimit ose, më saktë, lëvizja jonë drejt BE-së është shumë komplekse. Në vend që ta sjellim Evropën në Ballkan, ne sollëm Ballkanin në Evropë. Fatkeqësisht, ka shtete anëtare të BE-së që vijnë nga Ballkani që kanë sjellë me vete në Bruksel konteste bilaterale, në vend që t’i sjellin vlerat e Brukselit në Ballkan”, tha kryeministri Mickoski.



