Liderët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti nga BDI, Izet Mexhiti nga VLEN, Ziadin Sela nga LSH dhe Arben Taravari nga ASH sot përmes disa postimeve në rrjetet e tyre sociale kanë përcjellur një mesazh unifikues për zgjedhjet e së dielës në Serbi ku kanë bërë apel shqiptarëve të Luginës që këtë të diellë në mënyrë masive të dalin për të votuar koaliconin shqiptar me numër 17 që zëri i shqiptarëve të dëgjohet fuqishëm në parlamentin e Beogradit, shkruan Top24
Postimet e Liderëve:
Ali Ahmeti:
Të dashur bashkëkombës në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe në vendbanimet e tjera,
Me rastin e zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit, ju bëj thirrje të ushtroni të drejtën tuaj demokratike të votës dhe të merrni pjesë sa më masivisht në procesin zgjedhor.
Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë ka rëndësi të veçantë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, gjuhësore dhe qytetare, si dhe për ngritjen e shqetësimeve lidhur me diskriminimin, padrejtësitë dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në këto treva.
Në këto zgjedhje, forcat politike shqiptare paraqiten të bashkuara në listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, me numër 17. Pjesëmarrja masovike në zgjedhje është një mundësi për të shprehur vullnetin e lirë dhe për të forcuar përfaqësimin demokratik të shqiptarëve.
Të bashkuar në mbrojtje të të drejtave, dinjitetit dhe të ardhmes së shqiptarëve!



