Erjon Vishkulli, 28 vjeç, është protestuesi që mbeti i plagosur në sy nga një plumb gome gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë.
Pamjet e tij me fytyrën e mbuluar nga gjaku qarkulluan me shpejtësi në rrjetet sociale, ndërsa ai u dërgua në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Sipas informacioneve të raportuara, 28-vjeçari iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, teksa pritet që të dalë nga operacioni.
Vishkulli është i njohur në radhët e tifozëve të futbollit shqiptar si pjesë e grupimit “Tifozat Kuq e Zi”, që mbështet Kombëtaren shqiptare. Prej vitesh, ai është përfshirë në aktivitetet e tifozërisë kuqezi, duke ndjekur ndeshjet e përfaqësueses shqiptare.
Po ashtu gjatë protestës së sotme, një polic ka dhunuar me shkop gome një qytetar, duke e lënë të shtrirë në tokë.
Në video tregohet se kolegë të tij po ashtu kanë qenë prezentë në momentin që policia ka dhunuar protestuesin.
“A je mirë? Nuk po reagon. Thërrisni një ambulancë”, dëgjohen të thonë qytetari që i afrohet personit të shtrirë në tokë.


