
Drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska, po ndjek një qasje të hapur diskriminuese me qëllim të nënshtrimit dhe përjashtimit të shqiptarëve nga ky institucion.
Akuza vjen nga BDI-ja, nga ku thonë se, kontrolli i jashtëzakonshëm i Inspektoratit Administrativ Shtetëror, i iniciuar mbi një parashtresë anonime me përmbajtje tendencioze dhe antishqiptare, nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje e orkestruar për të larguar punonjësit shqiptarë dhe për të krijuar një ambient ku ata trajtohen si qytetarë të rendit të dytë.
BDI
“Që nga dita e parë në detyrë, Andonovska ka demonstruar hapur qëllimin e saj për të reduktuar praninë e shqiptarëve në këtë institucion, duke nisur me largime nga pozitat udhëheqëse, izolim në zyra të veçanta dhe trajtim të pabarabartë në organizimin e punës. Kjo politikë përjashtuese është e papranueshme dhe përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj barazisë dhe kohezionit shoqëror.”
Kundërpërgjigjen nga VMRO-DPMNE-ja. Sipas tyre, BDI-ja reagon për shkak se ka përfunduar krimi që është bërë në këtë institucion, me të cilin për 15 vite ka udhëhequr kuadër I BDI-së.
VMRO – DPMNE
“Çdoherë kur reagon BDI-ja, opinioni duhet ta dijë se mbron krimin. Arsyetimi për mbulimin e krimit është shqetësimi i tyre për gjoja të drejtat e Shiptarëve. Kur flasin për diskrimimin të Shqiptarëve dihet se atëherë më shumë vjedhin. Me fjalë të tjera kriminelët janë kriminelë.”
Marija Andonovska Drejtore e ISHP-së ishte emëruar në Korrik të vitit të kaluar duke zëvendësuar në këtë post Shaban Memetin nga BDI-ja.



