
Karnavali në Vevçani, ku në mënyrë tradicionale përcillet viti I vjetër dhe pritet Viti I ri ortodoks, sërish nxori në sipërfaqe ironinë që tejkalon moralin njerëzor por edhe bart mesazhe fyese në baza etnike.
Organizatorët thonë se Karnavali i Vevçanit, në mënyrë kreative ironizon me zhvillimet politike, të vitit të kaluar, në vend dhe botë.
Por, kësaj radhe ky “kreativitet” ka shkuar në vitin 2017 me improvizimin e ngjarjeve të përgjakshme në Kuvend ku kryeprotagonist ishte lideri i ASH-së, Ziadin Sela. Asokohe pamjet e transmetuara nëpër media e rrjete sociale, tronditën shqiptarët, opinionin vendor dhe jo vetëm.
Ka reaguar BDI-ja, duke dënuar, sic thuhet, aktin e papranueshëm të talljes dhe satirizimit të tentativës për vrasje ndaj Ziadin Selës, i cili ndodhi gjatë Karnevalit të Vevçanit.
Sipas integristëve, kjo është një shkelje e rëndë e dinjitetit njerëzor dhe një provokim i rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin shoqëror.
BDI
Është e paimagjinueshme që një ngjarje kaq serioze, që ka tronditur shumë qytetarë dhe që ka lënë pas pasoja të rënda për jetën e individëve, të përdoret si objekt talljeje dhe urrejtjeje në një aktivitet publik. Pavarësisht se ky akt ka ndodhur para syve të institucioneve dhe opinionit, askush nuk ka reaguar, nuk ka dënuar dhe nuk ka ndërmarrë masa për të parandaluar normalizimin e urrejtjes dhe dhunës.
BDI përmes reagimit rikujton se ndërkohë që shqiptarët dhe grupet e tjera etnike dënohen për aktivitete paqësore dhe kulturore, individë të caktuar në Vevçan e përdorin këtë karneval për të shpërndarë mesazhe të urrejtjes dhe dhunës. Kjo, sipas tyre, është një formë e papranueshme e ngacmimit dhe nxitjes së ndarjeve etnike dhe sociale.
BDI
BDI kërkon reagim të menjëhershëm dhe të fuqishëm nga të gjitha institucionet përkatëse, që të sigurohet se akte të tilla të shëmtuara nuk do të tolerohen dhe as nuk do të kalojnë pa dënim. Ne nuk mund të lejojmë që urrejtja dhe dhuna të jenë pjesë e kulturës sonë shoqërore, e as të përdoren për qëllime politike ose për ndjenjat e ngushta etnike.
Të rikujtojmë se Karnavalin e Vevçanit 2025, nga afër e kishte ndjekur edhe Kryeministri Mickoski I shoqëruar nga Ministri i Kulturës por dhe nga krerë të lartë të VMRO-DPMNE-së.
Ndryshe, në vitin 2012, në Karnavalin e Vevçanit, një maskë që tallte islamin rezultoi me një sërë ngjarjesh të tensioneve ndëretnike e ndërfetare në këtë rajon.
Vitin e kaluar, Kisha Ortodokse Maqedonase, nga organizatorët kishte kërkuar kërkimfalje për shkak të maskës që tallte Jezu Krishtin.



