
Në prezantimin e “Giro d’Italia Grande Partenza” nuk munguan batutat e kryeministrit Edi Rama, i cili e krahasoi eventin sportiv me biçikleta që do të mbahet në maj të vitit të ardhshëm në vendin tonë me Cristiano Ronaldon.
“Për ata që nuk e ndjekin çiklizmin, me këtë turne mund të them se është njësoj si të kishim këtu Cristiano Ronaldon, por me biçikletë”, tha kryeministri.
Rama tha se kjo do të jetë “ngjarje jo vetëm sportive por edhe ngjarje e madhe popullore ku të gjithë përfshihen.”
Edi Rama: E di që ka shumë vende që konkurrojnë për këtë nisje të garës dhe për këtë jam më i lumtur që kemi mundur shumë të tjerë që janë më të mëdhenj dhe më ta pasur.
Do tregojmë vendin tonë të mrekullueshëm për 800 milionë teleshikues nga e gjithë bota. Më vjen mirë që do fillojë këtu sepse biçikleta është mjeti i vetëm që unë di t’i jap dhe nuk bëj shaka. Jemi një Itali në anën tjetër të detit, ku të gjithë do përfshihen për këtë pritje të madhe.
Në fakt jam vërtet i lumtur se për 3 ditë do kemi kaq shumë kampionë që do jenë miq ne vendin tonë e për të cilët do të flitet nga bota por edhe për Shqipërinë e cila ka rritje të jashtëzakonshme vitet e fundit. E dimë mjaft mirë që në këtë ligë ka konkurrencë të pabesueshme, sepse konkurrojmë me vende qe janë të hapura prej shekujsh.
Ngjarje jo vetëm sportive por edhe ngjarje e madhe popullore ku të gjithë përfshihen. Kjo është hera e parë për ne, por shpresoj që jo e fundit. Është e sigurt që nuk do kërkojmë nisjen në 2026. Urbano Cairo, kreu i ECS nuk mundi të jetë këtu dhe unë e falenderoj, edhe pse jam me Juventusin dhe ai i Torinos.
Për ata që nuk e ndjekin çiklizmin, me këtë turne mund të them se është njësoj si të kishim këtu Cristiano Ronaldon, por me biçikletë.



