LajmeMaqedoni

KASAMI NUK MENDON SI PERINSKI: Akademia Shqiptare do mbështetet nga katër komuna

I pyetur se a do të ketë përkrahje edhe nga këshilltarët e VMRO-DPMNE-së për përkrahjen e financimit të Akademisë Shqiptare në Këshillin e Tetovës, Kasami tha se janë të sigurt që çështja e financimit do të tejkalohet.

Edhe përkundër deklaratës së Ministrit për Vetëqeverisje Lokale, Zllatko Perinski, se ligji për vetëqeverisje lokale nuk e mundëson financimin e Akademisë Shqiptare, kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami insiston në hapjen dhe financimin e së njëjtës. Kasami thotë se nuk ka asnjë pengesë ligjore që nga buxheti  i komunave, të mos ndahen mjete për financimin e projekteve dhe aktiviteteve kërkimore dhe shkencore.

“Tek pjesa e financimit të punëve shkencore, një ndër mënyrat e financimit parashihet edhe financimi nga fonde lokale. Kështu që nuk ka asnjë pengesë ligjore që nga buxheti i Komunës së Tetovës, por edhe komunave të tjera, të ndahen mjete për financim të projekteve dhe aktiviteteve kërkimore-shkencore”, tha Kasami. I pyetur se a do të ketë përkrahje edhe nga këshilltarët e VMRO-DPMNE-së për përkrahjen e financimit të Akademisë Shqiptare në Këshillin e Tetovës, Kasami tha se janë të sigurt që çështja e financimit do të tejkalohet. “Ne kemi marrë përsipër përkrahjen dhe financimin e Akademisë Shqiptare, mënyra se si do të kalojë, për ne është çështje teknike dhe administrative dhe ne jemi të sigurt që do ti tejkalojmë”, tha Kasami.

Hasan Jashari, njëri nga iniciatorët Akademisë shqiptare, duke komentuar deklaratat e atyre që e kundërshtojnë nismën e tyre, tha se po t’i kishim dëgjuar këta persona, ne nuk do të kishim as shkolla të mesme dhe as universitete. “Po t’i kishim dëgjuar ata njerëz nuk do të kishim as arsim të mesëm, as universitete asgjë. Të gjithë gjërat janë bërë këtu në bazë të Kushtetutës dhe vullnet të mirë, dhe për këtë shkak – kjo duhet të shikohet se Ligji për institucione publike është shumë i gjerë dhe nuk është bërë për Akademinë Shqiptare, por është bërë për institucionet publike që lejohen dhe komunat edhe çdo kush , dhe persona nga jashtë të formojnë institucione publike”, tha Jashari, nismëtar i Akademisë Shqiptare.

Hapja e Akademisë Shqiptare është paralajmëruar të themelohet nga koalicioni VLEN dhe të financohet nga katër komuna shqiptare edhe atë: Komuna e Tetovës, Gostivarit, Zhelinës dhe Çairit. Nga ana tjetër, ministri Perinski këmbëngul se të ardhurat që i fitojnë vetëqeverisjet lokale, duhet t’i shpenzojnë në kuadër të ligjeve dhe se financimi i Akademisë Shqiptare nuk është nën kompetencat e tyre.

“Në Ligjin për Vetëqeverisjes lokale, neni 11 pika 7, thuhet se të ardhurat që i fitojnë vetëqeverisjet lokale, duhet t’i shpenzojnë në kuadër të ligjeve. E kam thënë disa herë që e ashtuquajtura Akademia Shqiptare nuk është nën kompetencat e tyre të shkruara në nenin 22 të ligjit për vetëqeverisje lokale, që janë në kompetencë të vetëqeverisjes lokale”, u shpreh ministri Perinski. Madje, ai shkoi më tej duke bërë thirrje që nuk duhet të bëhen probleme aty ku nuk ka!

Related Articles

Back to top button
Close
Close