LajmeMaqedoniTopLajm

Bllaca, kufiri që po tmerron udhëtarët!

“Na vjen keq shumë, por këto janë fuqitë dhe mundësitë tona. Ne vetëm pranojmë dhe zbatojmë urdhra. Dhe ne kemi dëshirë të mos ketë kolonë, por nuk mund t’i lëshojmë pasi edhe ashtu jemi vënë nën llupë nga udhëheqësia e re e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thonë punonjësit e policisë kufitare në Bllacë.

Vendkalimi kufitar në Bllacë vazhdon të shqetësojë qytetarët që lëvizin në drejtim të Kosovës, por edhe anasjelltas. Kolona të gjata që shkojnë madje deri në 4 kilometra, e sidomos tani kur nuk ka mërgimtarë dhe nuk është sezona e verës, shohim pothuajse çdo ditë në Bllacë. Si në hyrje ashtu edhe në dalje nga kufiri i Bllacës, punonjësit policor të kufirit janë urdhëruar që secili dokument udhëtimi, madje edhe ato të foshnjave, të futet në sistem. Kjo ka bërë që të zgjaten pritjet për kalim të kufirit, ndërsa shefi i kësaj pike kufitare ka mbetur me ingerenca gjysmake. Konkretisht, nëse kolona fillon e rritet, zyrtarët e pikës kufitare nuk mund të aktualizojnë “sistemin selektiv” të kontrollit, konkretisht të fusin në sistem vetëm dokumentin e udhëtimit të shoferit, ashtu siç vepron pala kosovare në Han të Elezit, apo edhe vendkalimet tjera kufitare në Maqedoninë e Veriut.

“Nuk kemi çfarë bëjmë, pasi në orë të caktuar, pothuajse çdo ditë, vijnë kolona të mëdha dhe nuk kemi mundësi të lejojmë qarkullim selektiv, sepse këto ingerenca nuk i kemi. Në fakt, na takojnë me rregullat kufitare, por na janë marrë. Tani, kur të nis kolona, duhet ta lajmërojmë kabinetin e ministrit dhe t’i lutim që të na mundësohet lejimi i qarkullimit selektiv. Ministri do të duhet t’i sheh kamerat për t’u bind se ka kolonë e më pastaj të japë përgjigje nëse na lejon ose jo qarkullim selektiv. Në të shumtën e rasteve, ministri nuk i sheh videot dhe nuk marrim përgjigje”, thonë punonjësit e pikës kufitare në Bllacë.

Ata shprehin keqardhje për pritjet e gjata të qytetarëve, ndërsa thonë se mllefi po shfryhet padrejtësisht ndaj tyre. “Na vjen keq shumë, por këto janë fuqitë dhe mundësitë tona. Ne vetëm pranojmë dhe zbatojmë urdhra. Dhe ne kemi dëshirë të mos ketë kolonë, por nuk mund t’i lëshojmë pasi edhe ashtu jemi vënë nën llupë nga udhëheqësia e re e Ministrisë së Punëve të Brendshme”.

Problem kolonat kanë shkaktuar edhe në pala kosovare të kufirit. Kosovarët thonë se kjo gjendje tanimë është shndërruar në përditshmëri dhe pritjet po shkaktohen vetëm nga ana maqedonase. “Në pamjet filmike shohim se kolonat nga Kosova mbërrijnë deri tek qasja në autostradën Arbën Xhaferi. Nuk e di se çfarë po ndodhë, por duket se nuk guxojnë ta implementojnë ‘qarkullimin selektiv’ siç bëjnë ne sapo të shohim se po grumbullohet veturat. Na dodhë që, të na bllokojnë edhe neve dhe të mos kemi mundësi të lëshojmë vetura, sepse kolonën e bëjnë deri në fund të qytezës së Hanit të Elezit”, thonë policët e kufirit të Kosovës.

Në ndërkohë, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, vazhdon të heshtë. Përkundër tentimeve tona për të marr deklaratë nga Iseni, ai në një porosi drejtuar gazetës KOHA, zëvendësministri thotë se gjendet në udhëtim zyrtar në Turqi, por se kur të kthehet, do dëgjohemi. Muaj më parë, kur Iseni e vizitoi këtë pikë kufitare, ai premtoi lehtësim të qarkullimit, megjithatë kjo vetëm se është vështirësuar.

Nga koalicioni VLEN, është deputetja Saranda Imeri ajo që ka dhënë një arsyetim të çuditshëm për kolonat e gjata në Bllacë. Pritjet e gjata ajo i ka ndërlidhur me dy aksionet e policisë në Gjevgjeli dhe Strumicë, ku u arrestuan dhjetëra policë dhe doganier të dyshuar për ryshfet.

“Para ca ditëve ne kishim një aksion të madh policorë që u zhvillua nga MPB ku u arrestuan një grup i madh i doganierëve dhe i policëve. Ajo ndodhi në Maqedoninë Lindore në Gjevgjeli dhe në Strumicë. Dhe, me siguri kjo ka bërë që kontrollet të shtohen dhe normalisht autoritetet në kufi të jenë më vigjilentë dhe çdo gjë të shkojë sipas protokollit dhe çdo gjë të jetë sipas standardeve”, ka thënë ditë më parë deputetja Saranda Imeri, megjithëse kolona e gjatë dhe pritjet po ndodhin vetëm në Bllacë dhe jo në pikat tjera kufitare. Madje, kaloi një javë që asnjë aksion nuk është ndërmarrë në Bllacë që, pritjet e gjata të lidhen me aksionet policore në Gjevgjeli dhe Strumicë.

Ndërkohë, derisa zëvendësministri Iseni dhe MPB heshtë, rrjetet sociale po “vlojnë” nga reagimet e shumta të qytetarëve që po detyrohen të presin me orë të tëra në këtë pikë kufitare. Madje, edhe me fëmijë të vegjël.

Related Articles

Back to top button
Close
Close