
Alexander Rhotert, njohës i zhvillimeve në rajon, në një artikull të fundit për gazetën gjermane “Tageszeitung” mbi tensionet në Ballkanin Perëndimor, ka konsideruar se Bashkimi Evropian (BE) është duke e injoruar agresivitetin në rritje të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndaj fqinjëve rajonalë, posaçërisht ndaj Kosovës. BE-ja nuk ka mësuar asgjë nga luftërat ballkanike, vlerëson Rhotert. Ai shton se shtetet kryesore evropiane – Gjermania dhe Franca – injorojnë faktin se Serbia vazhdimisht kërcënon fqinjët, ndërkohë që forcon lidhjet e saj me Rusinë. Rhotert ka përmendur ndërhyrjet e Shteteve të Bashkaura (SHBA) për të shmangur luftën në rajon. “Megjithëse SHBA-ja është duke marrë veprime me gjysmë zemre kundër planeve të Serbisë së Madhe, pa ndërhyrjet në Kosovë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në tetor 2023 dhe Bosnje në gusht 2024 nga drejtori i intelegjencës amerikane (CIA), William Burns, ndoshta tani do të kishte tre luftëra në Evropë”, thekson ai.
Një skenar lufte, potencialisht i rrezikshëm, vazhdon të përmendet nga Serbia që pretendon se Kosova bën “spastrim etnik” të serbëve. Kjo retorikë, kujton ai, ishte përdorur në fund të ’80-tave nga mentori i Vuçiçit, presidenti i atëhershëm jugosllav, Sllobodan Millosheviç, për të përgatitur serbët për agresion ndaj popujve të tjerë.
“Vuçiç ka sjellë përsëri në pushtet një numër ish-shokësh të Millosheviçit për të përfunduar projektin e atëhershëm të dështuar të Serbisë së Madhe… Nëse BE-ja nuk dëshiron të përjetojë një tjetër dështim, duhet të nxjerrë mësime nga politika e dështuar e tolerimit të Serbisë në vitet 1990”, konkludon politologu gjerman.
Ndryshe, shumë analistë kanë tërhequr vërejtjen se Serbia do të vazhdojë të ndjekë politika të pafavorshme ndaj stabilitetit rajonal, duke qenë se shteti serb, gjatë gjithë historisë moderne, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore liberale, duke rreshtuar veten përkrah Rusisë dhe Kinës.



