
SPAK ka dalë me njoftim zyrtar pasi mbylli hetimet dhe dërgoi në GJKKO dosjen për Sali Berishën, dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe 3 të pandehur të tjerë, duke zbuluar akuzat ndaj tyre.
Ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha është ngritur akuza për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa Jamarbër Malltezi akuzohet për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.
Tre të pandehurit e tjerë, biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohet për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan janë në akuzë për pastrim parash.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, pasi ka përfunduar hetimet në kuadër të procedimit penal nr. 287, të vitit 2020, ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në datë 15.10.2024), kërkesën për dërgimin e çështjes për gjykim, në ngarkim të të pandehurve si vijon:
- Sali Berisha, akuzuar: Për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal;
- Jamarbër Malltezi, akuzuar për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;
- Fatmir Bektashi, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Pastrimi të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;
- Xhimi Begeja, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;
- Andia Pustina, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;
- Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Studio Pustina sh.p.k. akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;
- Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Homeplan sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i parë i Kodit Penal;
- Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Kontakt sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i parë i Kodit Penal.



