
Sot është dita e tretë që kur fshatin Pllasnicë e ka kapluar zjarri.
Gjatë ditës së djeshme banorët të organizuar me traktorë dhe me mjete dore arritën të lokalizojnë dy zjarre në pjesën e epërme të fshatit, sepse nuk patën ndihmë nga zjarrfikësit e vendit dhe rajonit me pretekstin se ka situata edhe më të rrezikshme.
Por dje pasdite në këtë fshat u përhap një zjarr tjetër i cili vazhdoi të digjet edhe sot dhe iu afrua pjesës së poshtme të fshatit dhe ka arritur shumë afër shtëpive.
Kryetari i komunës së Pllasnicës, Alija Jaoski, edhe sot mobilizoi banorët për të lokalizuar zjarrin, edhe pse siç thotë, po i vë banorët në rrezik sepse për shkak të erës që fryn zjarri përhapet me shpejtësi.
Jaoski kërkon ndihmë nga institucionet përkatëse për shuarjen e zjarrit. Thirrjet që ka bërë deri më sot kanë hasur në vesh të shurdhër. Sot sërish apeloi për ndihmë sepse i rrezikohet djegia e fshatit dhe rrezikon banorët duke u përballur me shuarjen e zjarrit.
“Unë si kryetar komune intervenova tek të gjitha shërbimet por të gjithë janë të zënë sepse kanë vende më të rrezikuara, kështu që nuk kemi ndihmë nga ana e tyre sepse nuk mund të vijnë. Ne dy zjarre i kemi shuar vetë, ky është i treti në pjesën e poshtme të Pllasnicës”, tha Alija Jaoski, kryetarë i Komunës së Pllasnicës.
TV21 kërkoi qëndrim edhe nga Drejtorin për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov, në momentet kur zjarri ishte 300 metra afër shtëpive, por ai na tha se atje po e shuajnë zjarrin vetë qytetarët dhe tha se ka zjarre më të vështira që përbëjnë rrezik të madh, ndërsa zjarrin në Pllasnicë e cilësoi jo të një rrezikshmërie të lartë. Pas kësaj, nga Qendra për Menaxhim me Kriza i thanë TV21 se janë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarin e komunës dhe se qytetarët deri diku kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin, por nëse situata del nga kontrolli, ata do të ndërmarrin masa.



