
Shkruan: Xhelal Neziri
Hristijan Mickoski është kryeministri i 13-të i Qeverisë së 20-të të vendit. Nikolla Klusev ishte i pari, i pasuar nga Branko Cervenkovski me dy mandate dhe Lubço Georgievski me një mandat. Pas tij, në vitin 2002, Cervenkovski sërish kthehet në pushtet, duke nisur mandatin e tretë, që në mes t’ia lëshojë vendin Hari Kosotovit, e ky Radmilla Shekerinskës që në fund të mandatit kryeministër të bëhet Vllado Buçkovski. Në vitin 2006 në pushtet vjen VMRO-DPMNE me Nikolla Gruevskin në krye, i cili drejton pushtetin për tre mandate. Në vitin 2014 kryeministër teknik është Emil Dimitriev, që më pas të marrë drejtimin Zoran Zaev. Brenda mandatit të tij, para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020 si kryeministër teknik shërben Oliver Spasovski, që pas tij në krye të Qeverisë të vijë Dimitar Kovaçevski. Kryeministër teknik në qeverinë e fundit ishte Talat Xhaferi.
Numri i 13-të njihet si fatkeq. Bestytnitë e përhapura anembanë Botës kanë bërë që njerëzit të kenë frikë nga ky numër. Posaçërisht nëse bie ditën e premte.
Disa hotele nuk kanë dhomë me numër 13, ndërsa shumë ndërtesa të larta nuk kanë të shënuar katin të 13-të, duke u hedhur direkt nga 12 në 14.
Disa linja ajrore gjithashtu refuzojnë të kenë një rresht të 13-të në aeroplanët e tyre gjithashtu.
A do të jetë Mickoski fatkeq? Duke marrë parasysh rezultatet e 12-të pararendësve të tij, duket se jo. Ata, kush më pak e kush më shumë, shuan atë që mban çdo njeri të gjallë e aktiv në vendlindje: SHPRESËN. Partizimi i institucioneve, i bashkësive fetare, i policisë, i prokurorisë, i gjykatave, i sektorit të biznesit, i universiteteve…instaluan një sistem hibrid, ku kontrolli i rreptë nga një parti u zëvendësua me kontrollin poaq të fortë nga dy-tre parti qeverisëse. U instalua një lloj komunizmi demokratik, ku njeriu i partisë ishte më i fuqishëm se e drejta, kurse ligji vlente vetëm për qytetarin e thjeshtë. Mickoski ka hapësirë të lirë të bëjë ndryshime radikale: ka dy të tretat në Parlament, ka presidencën, ka komunat, ka përkrahjen evropiane dhe amerikane.
Për këtë arsye, Mickoski nuk mund të jetë më “baksuz” se kryeministrat paraprak. Përkundrazi, numri 13 mund t’i sjellë fat nëse vertetë dëshiron ndryshme pozitive që nënkuptojnë evropianizim të shtetit dhe shoqërisë.
Do të jetë fatmirë nëse do të tentojë të jetë kryeministër i të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh identitetin e tyre etnik, politik apo gjeografik. Ai i njeh mirë shqiptarët, ka punuar një kohë të gjatë me ta në ndërtimin e hidrocentraleve të vogla. Sa për komunikim bazik e flet edhe shqipen. Mickoski ka shansin të bëhet gardian i të drejtave të popujve joshumicë, ndryshe nga liderët para tij të VMRO-DPMNE-së. Në çdo demokraci të shëndoshë, shumica luan rolin e garantuesit dhe të promovuesit të së drejtave të joshumicës, e jo të shtypësit. Ndryshe nga Gruevski, Mickoski nuk duhet të shfrytëzojë dobësitë e partive shqiptare, në pushtet dhe opozitë, që të vështirësojë edhe më shumë jetën e qytetarëve shqiptarë në RMV.
Gjithçka do të varet nga ai. Do të jetë vetë Mickoski që do ta përcaktojë fatin e tij. Opozita do të jetë në gjumë të gjatë disavjeçar. Nëse numri 13 do t’i sjellë fat të keq, apo të mirë, do të varet nga vetë Mickoski. Bestytnitë s’luajnë rol në politikë.



