BotaLajme

Parlamenti danez hedh poshtë propozimin për njohjen e shtetit palestinez

Parlamenti i Danimarkës e ka hedhur poshtë të martën një projektligj për njohjen e shtetit palestinez.

Paraprakisht, ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, kishte thënë se mungojnë parakushtet e nevojshme për njohjen e pavarësisë së Palestinës.

Irlanda, Spanja dhe Norvegjia e njohën zyrtarisht shtetin palestinez të martën, një javë pasi njoftuan se do ta bënin një gjë të tillë. Vendimi i tyre e ka zemëruar Izraelin, i cili e quajti atë “shpërblim për terrorizmin” dhe i tërhoqi ambasadorët e vet nga këto vende. Projektligji për njohjen e Palestinës nga Danimarka u propozua në fund të shkurtit nga katër parti të majta.

“Ne nuk mund ta mbështesim këtë, por urojmë që të vijë dita kur do të mund ta bëjmë”, tha Rasmussen, i cili nuk ishte i pranishëm në Parlamenti gjatë votimit më 28 maj.

Danimarka ka thënë se Izraeli ka të drejtë ta mbrojë veten, pas sulmit që Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – e kreu më 7 tetor në jug të Izraelit, ku vrau 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbeu rreth 250 të tjerë.

Sulmi i 7 tetorit e nxiti luftën e Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës, si pasojë e të cilës janë vrarë mbi 36.000 palestinezë prej atëherë. Së fundmi, Danimarka i ka bërë thirrje Izraelit të vetëpërmbahet dhe ta respektojë ligjin ndërkombëtar.

Irlanda, Spanja dhe Norvegjia kanë thënë se vendimi i tyre ka për qëllim përshpejtimin e përpjekjeve për ta siguruar një armëpushim në luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gazë, dhe u kanë bërë thirrje vendeve të tjera t’i ndjekin hapat e tyre./ rel

Related Articles

Back to top button
Close
Close