Gjashtë projektet e reja të financuara përmes Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III Kosovë–Maqedoni e Veriut 2021–2027 tashmë kanë filluar zbatimin, ndërsa në periudhën në vijim presim rezultate konkrete që do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e komunave dhe komuniteteve në të dyja vendet.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka shkruar në facebook se projektet synojnë zhvillimin e komunave dhe komuniteteve në të dyja vendet.
Sipas tij, projektet përfshijnë mbrojtjen e mjedisit, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, menaxhimin e rreziqeve, zhvillimin e turizmit, përfshirjen sociale dhe rritjen e konkurrueshmërisë.
Në Kosovë, aktivitetet do të zhvillohen në Parkun Kombëtar “Sharri” dhe në komunat Ferizaj, Kllokot, Mamushë, Rahovec dhe Ranillug, ndërsa në Maqedoninë e Veriut në Parqet Kombëtare “Sharri” dhe “Mavrovë”, si dhe në disa komuna të tjera.


