Osmani falënderon Sejdiun: Humbëm një mundësi për konsensus rreth njerëzve me integritet

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas dështimit të procesit për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës, duke shprehur mirënjohje për kandidatin Bekim Sejdiu.

Përmes një postimi, Osmani ka thënë se Sejdiu meriton falënderim jo vetëm për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit, por edhe për mënyrën se si e ka përballuar procesin.

“Bekim Sejdiu meriton falënderim. Jo vetëm për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit, por edhe për mënyrën se si e përballoi një proces ku personalja shpesh u vendos mbi institucionalen.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron humbja jonë më e madhe: jo vetëm që nuk arritëm të zgjedhim Presidentin, por humbëm edhe një tjetër mundësi për të treguar se në Kosovë mund të ndërtojmë konsensus rreth njerëzve me dije, integritet dhe dinjitet. Politika kalon. Fushatat mbarojnë. Zgjedhjet përsëriten. Por mënyra se si një njeri sillet kur vihet në sprovë, mbetet.

Dhe ndonjëherë, edhe kur një përpjekje politike nuk përfundon me sukses, ajo lë pas diçka më të rëndësishme: një dëshmi të karakterit. Prandaj, faleminderit Bekim, për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për dinjitetin që tregove deri në fund”, ka shkruar Osmani.