
Moldavi-Shqipëri po afron, dueli i fortë i grupit E do të zhvillohet të premten e 17 nëntorit në Kishinjev. Duke nisur prej orës 18:00, sfidë që do të transmetohet në SuperSport 2.
Në lojë është kualifikimi në Euro 2024. Kuqezinjtë e Sylvinhos shkojnë në Moldavi si kryesues të grupit, ndërkohë që kjo është një finale për vendasit.
Të cilët si kurrë më parë ëndërrojnë kualifikimin në një kompeticion europian. Gjatë prononcimit për shtypin, trajneri Serghei Clescenco u ndal edhe te tifozët.
Stadiumi “Stadionul Zimbru” (10.500 tifozë kapaciteti) do të jetë i mbushur plot, me tifozët moldavë që do të mbështetin skuadrën e tyre kombëtare.
“Ne realisht duam ta shohim stadiumin plot. Ende e mbaj mend ndeshjen e vitit 1998 kundër Gjermanisë. Tifozët qëndronin në këmbë, pasi stolat ishin mbushur plot.
Ata brohoritnin pa pushim. Ne humbëm 1-3, por në 20 minutat e para kryesuam 1-0. Lojtarëve u them që pavarësisht rezultatit, ne nuk mund t’i zhgënjejmë tifozët tanë në aspektin e lojës.
Jemi të motivuar për të dhënë gjithçka në fushë kundër Shqipërisë. Duam t’i bëjmë këto momente historike të paharrueshme për të gjithë Moldavinë”, u shpreh 51-vjeçari.




