
Një pritje e Olivier Giroud ngjit Milanin në krye të renditjes së Serisë A. Sulmuesi veteran francez veshi dorezat e Maignan në minutat shtesë të ndeshjes ndaj Genoas, pasi gardiani kuqezi u ndëshkua me karton të kuq dhe bëri mrekullinë duke u mohuar vendasve golin e barazimit.
Një pritje që përshkruan më së miri këtë Milan, dëshirën e kuqezinjve për të sakrifikuar dhe për të bërë gjithçka, me kushtin e vetëm, marrjen e 3 pikëve.
Humbja në derbi ishte vetëm një rrëzim, që ndonëse i rëndë, duket se nuk ka lënë pasoja te kuqezinjtë e Piolit, të cilët kanë fituar 7 nga 8 ndeshjet e këtij sezoni dhe kryesojnë me meritë.
Milani ngjan shumë me atë të para dy sezoneve, kur fitoi titullin kampion. Një skuadër cinike, që vrapon shumë dhe sakrifikon gjithçka për të marrë fitoren. Doni prova? Theo Hernandez dhe Maignan nuk patën aspak frikë të ndëshkohen ndaj Genoas, edhe pse kjo do t’u kushtojë mungesën në ndeshjen e radhës ndaj Juventusit, sepse në fund të fundit, fitorja vlen tre pikë, pavarësisht kundërshtarit.
Një meritë jo të vogël në sukses ka edhe trajneri Pioli, që pa skuadrën t’i ndryshonte rrënjësisht në verë dhe po përballet edhe me mungesa të rëndësishme, por në çdo rrethanë, kërkon të udhëheqë të tijtë drejt fitores.
Trajneri llogarit mirë lodhjen, duke lënë pushim disa prej titullarëve në Champions ndaj Dortmundit dhe kur sheh që situata bëhet serioze, nuk kursen asnjë prej sulmuesve, duke ndryshuar skemë e freskuar repart, me qëllimin e vetëm, marrjen e fitores.
Një fitore që edhe këtë herë erdhi me shumë mundim, por njëkohësisht shumë dëshirë për të sakrifikuar gjithçka, si të ishte një finale.
Tani askush nuk mund të flasë më për humbjen në derbi, pasi në kampionat vlen vazhdimësia dhe atë e ka skuadra e Piolit, që ka ruajtur portën të paprekur në 6 nga 10 ndeshjet e luajtura këtë sezon dhe ka hedhur zyrtarisht kandidaturën për titullin kampion.



