
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, ka takuar gjashtë presidentët e Ballkanit Perëndimor në New York ku është duke u mbajtur sesioni i 78-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kryediplomati teksa i quajti anëtarë të ardhshëm të BE-së shtoi se janë duke u përgatitur për valën e re të zgjerimit të bllokut.
“Takimi tradicional me gjashtë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, anëtarët e ardhshëm të BE-së. Ne diskutuam sfidat aktuale globale, përafrimin, punën e përbashkët në forume shumëpalëshe dhe reformat. Duke u përgatitur për valën e ardhshme të zgjerimit, ne duam ta bëjmë realitet progresin në integrim, ka shkruar Borrell në rrjetins social, X.
Në këtë sesion është duke marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila është takuar me shefin e diplomacisë evropiane, Borrell.
Mbrëmë, e para e vendit i ka kërkuar Bashkimit Evropian që ta përshpejtojë procesin për ta bërë Kosovën me status të vendit kandidat për anëtarësim në këtë bllok.
Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane prej vitit 2003, në një samit në Selanik.
Nga ajo kohë, vetëm Kroacia, nga vendet e rajonit, është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.
Bosnje-Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa Kosova ka vetëm Marrëveshje Stabilizim -Asociimi (MSA) me BE-në.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këtë bllok në dhjetor të vitit të kaluar.



