Sulm i ri në aeroportin e Riadit, raportohet edhe për në atë të Jemenit

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ka njoftuar për sulme të tjera ndaj Aeroportit Ndërkombëtar King Khalid në Riad. Gjeneralmajor Turki al-Maliki, zëdhënësi zyrtar i koalicionit, tha se një “objekt i panjohur” goditi terminalin nr. 4 të aeroportit.

Paraprakisht rebelët e Houthit të Jemenit kanë lëshuar paralajmërim të ri për të gjitha kompanitë ajrore duke u kërkuar të shmangin përdorimin e aeroporteve dhe hapësirës ajrore të Arabisë Saudite, raporton BBC.

Paralel me zhvillimet në Arabinë Saudite, televizioni Al Masirah, i kontrolluar nga Houthi, raportoi se Arabia Saudite ka ndërmarrë një sulm ajror ndaj Aeroportit Ndërkombëtar të Sanaas në Jemen.

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili mbështet qeverinë jemenase të njohur ndërkombëtarisht, ende nuk ka komentuar këtë raportim. As qeveria saudite nuk ka dhënë ndonjë deklaratë

Ky zhvillim vjen pasi koalicioni fajësoi Houthin për një sulm ndaj aeroportit ndërkombëtar në Riad të shtunën. Në sulmin e së shtunës, 12 persona mbetën të vrarë dhe 309 të tjerë të plagosur.

Autoriteti saudit i aviacionit civil konfirmoi se në mesin e viktimave ishin katër shtetas sauditë, dy nga Bangladeshi dhe nga një shtetas i SHBA-së, Jordanisë, Palestinës, Sirisë, Sudanit dhe Egjiptit.

Gjatë ditës, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Arabinë Saudite ka paralajmëruar punonjësit qeveritarë amerikanë se u nevojitet autorizim i posaçëm për të përdorur Aeroportin Ndërkombëtar King Khalid në Riad, si dhe aeroportet në Xhedah dhe Dammam.

Paralajmërimi është zgjeruar, pasi një njoftim i ngjashëm i publikuar një ditë më parë përfshinte vetëm aeroportin e Riadit.

Ambasada gjithashtu u rekomandoi të gjithë shtetasve amerikanë që të shmangin aeroportin e Riadit dhe zonat përreth tij.

Anulimi dhe vonesat e qindra fluturimeve drejt dhe nga aeroportet saudite kanë shkaktuar ndërprerje edhe në aeroporte të vendeve të tjera.

Pamjet e fundit nga Aeroporti Ndërkombëtar Hazrat Shahjalal në Dhaka tregojnë pasagjerë të bllokuar, të cilët i kanë thënë agjencisë së lajmeve Reuters se fluturimet e tyre janë anuluar në një afat shumë të shkurtër.

Sipas Reuters, rreth 3.5 milionë shtetas të Bangladeshit jetojnë në Arabinë Saudite.