
Futbolli shqiptar humbet një emër shumë të rëndësishëm të dekadave të fundit. Bëhet fjalë për ish-sulmuesin e Flamurtarit dhe Tiranës, Anesti Vito, i cili ndërroi jetë në moshën 52-vjeçare.
Sipas të dhanëve të para, dyshohet se Vito pësoi një atak kardiak që rezultoi fatal për të. Lajmin e ka bërë me dije vetë klubi i Flamurtarit me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku i shpreh dhe ngushëllimet.
Anesti Vito e nisi karrierën në vitin 1992 me fanelën e skuadrës së vendlindjes, Flamurtarin, ku u aktivizua deri në vitin 1997. Ndërkohë, në vitin 2000 ai veshi fanelën e Tiranës, ku u shpall edhe Kampion i Shqipërisë.
Sulmuesi vlonjat ka veshur në të shkuarën edhe fanelat e Albpetrol, por edhe të Tomorit të Beratit, ndërsa në 225 ndeshje në Superiore ka shënuar 68 gola. Ai u tërhoq nga futbolli i luajtur në vitin 2002.





