
Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përmes një komunikate për media ka treguar se dy ditët e vikendit në qeveri nuk kanë pushuar, por kanë mbajtur takime.
“Gjatë dy ditëve të kësaj fundjave, Zyra e Kryeministrit së bashku me kabinetet politike të ministrive kanë zhvilluar punëtori të përbashkët”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se në takime të ndara sipas shtyllave bazë të Planit Kombëtar të Zhvillimit, ministritë prezantuan rezultatet, arritjet dhe sfidat tyre gjatë vitit të kaluar, si dhe planet dhe synimet për vitin 2023.
Zyra e kryeministrit thotë më tej se Kurti në takim ju ka thënë ministrave se duhet të punojnë më shumë gjatë këtij viti për të realizuar punët e nisura.
“Kryeministri Kurti i falënderoi anëtarët e kabinetit qeveritar dhe stafin e tyre për punë përgjatë vitit 2022. Ai i ftoi ata edhe për më shumë angazhim në vitin 2023 në realizimin e punëve të nisura dhe zotimeve të programit qeverisës për qeverisje të mirë, siguri dhe sundim të ligjit, zhvillim të barabartë dhe ekonomi të fortë dhe të qëndrueshme”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se gjatë javës kryeministri Kurti kishte priti pesë diplomatë të rëndësishëm evropiano-amerikanë. /Reporteri.net/.




