LajmeMaqedoniTopLajm

Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2023 do të jetë 274.6 milionë euro

Buxheti i propozuar i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2023 është 274.6 milionë euro dhe është një e treta më shumë se vitin e kaluar. Mjetet për pajisje dhe modernizim të Armatës janë rritur për gjashtë për qind dhe arrijnë 88.797.000 euro.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska njoftuan sot se financat e planifikuara për vitin e ardhshëm do të kontribuojnë në zhvillimin dhe modernizimin e këtij departamenti në përputhje me standardet e një vendi anëtar të NATO-s, si dhe se investimet në njerëz, pajisje dhe zhvillim të aftësive do të vazhdojnë. “Zhvillimi i mbrojtjes do të kontribuojë për sigurinë më moderne në raport me kërcënimet që na sjellin sfidat gjeostrategjike dhe për të cilat ne kemi detyrim t’i mbrojmë qytetarët tanë.

Një buxhet i tretë më i lartë i mbrojtjes do të thotë një investim në paqen dhe stabilitetin e njerëzve dhe kjo është e paçmuar”, tha Kovaçevski në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministren e mbrojtjes Sllavjanka Petrovska. Rritja e mjeteve, siç theksoi Kovaçevski, do të thotë se do ta arrijmë qëllimin e caktuar, i cili është buxheti për mbrojtjen të jetë dy për qind e BPV-së në vitin 2024, sipas standardeve të NATO-s. Mbrojtja, theksoi kryeministri, që nga shkurti i këtij viti na kujton se pse është i rëndësishëm modernizimi dhe fuqizimi i saj, ndërsa ende më e rëndësishme se ajo, siç theksoi ai, është se realizimi i objektivit tonë strategjik, NATO-ja është vendimi më shtetëror që kemi marrë në historinë e re të vendit. “Në muajin shkurt, në Ukrainë filloi një luftë që të gjithë menduam se nuk do të ndodhte më kurrë në tokën evropiane pas Luftës së Dytë Botërore.

Por agresioni brutal që Rusia kryen në mënyrë të pajustifikuar kundër Ukrainës sovrane dhe shkelja flagrante e integritetit të saj territorial na ka treguar se paqja siç e njohim ne në Evropë nuk është një opsion i garantuar. Prandaj asnjëherë nuk ka qenë më e rëndësishme që ne të jemi NATO dhe të kontribuojmë në mbrojtjen tonë kolektive dhe të 29 vendeve të tjera anëtare që garantojnë mbrojtjen dhe sigurinë tonë”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi se prandaj është e rëndësishme që ne e bëmë integrimin tonë ushtarak në NATO shumë më shpejt se anëtarët e tjerë dhe se ne ndajmë fonde nga buxheti ynë për modernizimin dhe forcimin e Armatës, si dhe të mbrojtjes në tërësi. Kryeministri vlerësoi se këtë vit Armata tregoi gatishmëri për t’u përballur me aleatët tanë dhe për këtë arsye mori vlerësimet më të larta dhe, siç tha ai, na ndihmoi të jemi të sigurt në gatishmërinë për veprim të përbashkët në përballjen me kërcënimet moderne të sigurisë.

“Ai përkushtim i armatës sonë është mirëpritur dhe shpërblyer. Kur mendoj për gjendjen, në të cilën e gjetëm Armatën në vitin 2017 me uniforma dhe çizme të grisura, pajisje të rrënuara dhe të pakujdesshme për personelin e armatës së izoluar ndërkombëtarisht dhe të pambrojtur për shumë arsye. Gjithë ajo është e kaluar dhe me punë të palodhur dhe shumë përpjekje të përkushtuar nga Ministria, ia rikthyem në radhë të parë dinjitetin Armatës dhe e ngritëm mbrojtjen në nivelin e një shteti anëtar të Aleancës së NATO-s. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në të ardhmen. Ky është përfitimi i aleancës në NATO, garantimi i sigurisë në vend me forcimin e Armatës, dhe siç jemi të bashkuar në mbrojtjen ushtarake, jemi të bashkuar edhe në diplomaci dhe politikë me vendet anëtare të NATO-s”, tha Kovaçevski.

Duke iu referuar karakteristikave të buxhetit të mbrojtjes, ai vuri në dukje se stabiliteti i ushtarëve profesionistë është i rëndësishëm dhe kujtoi se të ardhurat e tyre janë rritur, si dhe se janë investuar mbi 16 milionë euro në objektet energjetike të Ministrisë, Armatës dhe në kazerma. Me këto investime strategjike, sipas tij, janë përmirësuar kushtet e punës së Armatës, e cila është shtyllë për sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve tanë.

Ministrja Petrovska po ashtu përkujtoi se për pjesëtarët e Armatës vitin e kaluar u krijuan kushte për rritjen e pagave edhe një herë, si dhe për pagesa të mbi 20.000 euro për pjesëtarët mbi 45 vjeç dhe për banim prej 9.500 denarë si shtesë nga të ardhurat mujore për çdo ushtar. “Ky kujdes, paralajmëroi do të vazhdojë edhe më tutje, ndërsa Armata e Maqedonisë së Veriut, sot Armata e NATO-s, është e pajisur, e motivuar dhe e paguar mirë”, tha Petrovska. Siç bëri të ditur Petrovska, në buxhetin e vitit 2023 janë paraparë mjete për pajisjen e rregullt të Armatës dhe mbulimin e të gjitha nevojave të saj, ndër të tjera janë paraparë 1.613.000 euro për ushqim të organizuar për pjesëtarët e Armatës.

Krahas investimeve në pajisjen dhe modernizimin e Armatës në përputhje me objektivat e miratuara të aftësive, sigurohet edhe efikasitet energjetik i objekteve, përtëritje e personelit të Armatës, rritje e të ardhurave të ushtarëve profesionistë menjëherë pas hyrjes në shërbim në Armatë, mbështetje financiare për zgjidhjen e statusit të ushtarëve profesionistë me dhënien e pagesave të largimit në vlerë prej dy pagash mesatare neto, jo më pak se 1.000 euro për çdo vit të kaluar në Armatë, përmirësim të vazhdueshëm të mbështetjes logjistike dhe rritje të pjesëmarrjes në misionet dhe operacionet ndërkombëtare të paqes.

Vitin e ardhshëm, paralajmëroi Petrovska, do të kemi numrin më të madh të pjesëtarëve në misione dhe operacione ndërkombëtare, gjegjësisht 226. Mjetet totale për këtë qëllim janë 10 milionë e 548 mijë euro, prej të cilave 1.790.000 euro janë për paga dhe shtesa, ndërsa pjesa tjetër janë për kosto logjistike. Ministrja Petrovska, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve për ushtarët profesionistë, informoi se përveç opsioneve që ofron ligji ekzistues, po shqyrtohet mundësia që pasi të mbushin 45 vjet të angazhohen edhe në mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

Related Articles

Back to top button
Close
Close