
Pesëmbëdhjetë persona nga Gostivari dhe fshatrat përreth për dy ditë janë privuar nga liria për shkak të pjesëmarrjes në një rrahje masive që ka ndodhur të mërkurën në mbrëmje në një rrugë në Gostivar. Nëpunësit e Stacionit policor Gostivar, ku bëhet zbardhja e rastit, dje i kanë privuar nëntë persona. Një pjesë e tyre do të përballen me kallëzime penale për dhunë dhe nxitje dhe do t’i dorëzohen prokurorit publik, informojnë nga SPB Tetovë.
“Mbrëmë (11 gusht) rreth orës 22 e 30 minuta, nga liria janë privuar: XH.A.(44), T.A.(48), H.A.(42), B.A.(39), L.A.(55), N.A.(50), S.A.(52), B.A.(25) dhe D.A.(46), të gjithë nga Gjurgjevishti i Gostivarit. Për ta ekziston dyshimi se kanë marrë pjesë në rrahjen fizike të pardjeshme brenda dhe rreth një objekti hotelierik në rrugën “Vëllezërit Gjinovski” në Gostivar”, theksojnë nga SPB Tetovë.
Shkak për rrahjen kanë qenë keqkuptimet midis personelit dhe mysafirëve rreth ruajtjes së rendit dhe shërbimit në një objekt hotelierik për ushqim të shpejtë. Shumë shpejtë më pas një grup më i madh i familjarëve kanë ardhur para objektit dhe ka filluar zënka. Falë intervenimit të shpejtë të policisë është parandaluar një incident më i rëndë. Më pas, një nëpunës policor ka shtënë një plumb paralajmërues në ajër.
Po të njëjtën natë, janë ndaluar dhe janë dërguar në stacion policor: B.A. (25) nga Debreshi, D.A. (46) nga Gjurgjevishti, E.A. (27) dhe F.A. (53) nga Toplica, 34-vjeçari R.M. nga Gostivari dhe tre minorenë nga Debreshi dhe Gjurgjevishti. Për ta është përcaktuar se e kanë prishur rendin dhe qetësinë publike me rrahje fizike brenda dhe para një objekti hotelierik i cili gjatë një zënke është dëmtuar.



