
Përshkallëzimi i protestës pranë selisë së Partisë Demokratike ka qenë edhe në vëmendjen e selive diplomatike në vendin tonë. Ambasadorja Amerikane Yuri Kim nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale shprehet se SHBA-të janë thellësisht të shqetësuara me rritjen e tensioneve në ndërtesën e selisë së Partisë Demokratike dhe përdorimin e forcës. Kim ndër të tjera thekson se ata që nxisin dhunën ose minojnë sundimin e ligjit do të mbajnë përgjegjësi.
Edhe delegacioni i BE-së në Shqipëri reagoi duke nënvizuar se rruga e integrimit të Shqipërisë në BE ka nevojë për një opozitë solide që kontribuon në axhendën e reformave të vendit, duke iu përgjigjur aspiratës së popullit shqiptar që në masë të madhe dëshiron ta shohë Shqipërinë në BE.
Selia diplomatike e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë gjithashtu ka dënuar dhunën e ndodhur në protestë duke theksuar se çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet përmes dialogut, proceseve politike dhe ligjore, në interes të popullit shqiptar, jo interesave të ngushta individuale.
Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi përgëzoi profesionalizmin e Policisë së Shtetit në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Ministri Çuçi u shpreh se protestat paqësore janë themelore në demokraci, por aktet e dhunës dhe tentativat për të cenuar rendin publik nuk do të tolerohen.
Klan News