LajmeMaqedoni

7 kandidat për zgjedhjet e 7 presidenciale! Nesër fillon votimi, sot votojnë të sëmurët dhe të burgosurit

Shtatë kandidat në zgjedhjet e shtata presidenciale nesër edhe zyrtarisht dalin në garë në rrethin e parë zgjedhor për të parin e shtetit. Votuesit nesër do të vendosin cilët nga dy kandidatët do të hyjnë në rrethin e dytë që do të mbahet më 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare. Nga KSHZ informojnë se gjithçka është gati që procesi zgjedhor të vijojë pa pengesa, materialet zgjedhore dhe lexuesit e gishtave këtë fundjavë janë dorëzuar në Komisionet komunale zgjedhore, ndërsa sot po shpërndahen në gjithsej 3 480 vendvotime. Sot është heshtje zgjedhore, por njëkohësisht po zhvillohet edhe votimi i personave të sëmurë dhe të pamundur, ndërsa po votojnë edhe të burgosurit dhe diaspora, gjë për të cilën nga KSHZ informojnë se po zhvillohet pa pengesa.

“Në vendvotimet në 14 burgje të drejtën e tyre të votës do të mund ta realizojnë 2 147 votues. Të gjithë vendvotimet në burgje janë hapur në orën 7 dhe votimi do të zgjat deri në orën 19. Po vijon edhe votimi i 6 935 qytetarëve në shtëpitë e tyre që janë paraqitur si të sëmurë dhe të pamundur, si dhe 534 votues, që janë të akomoduar në shtëpitë për pleq dhe dy persona që janë shpërngulur nga Maqedonia. Votimi po zhvillohet pa probleme”, thonë nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Përveç votimit të një kategorie të caktuar të qytetarëve, procesi zgjedhor po zhvillohet edhe për qytetarët e Maqedonisë që gjenden në punë të përkohshme jashtë vendit ndërsa të cilët janë paraqitur për votim në përfaqësitë diplomatike.

“Sot 2 569 votues të drejtën e votës e kanë realizuar në 31 vendvotime në përfaqësitë diplomatike ku janë paraqitur për të votuar, ndërsa paraqitjet e tyre janë pranuar nga KSHZ-ja”, thonë nga KSHZ.

Gjithsej në Listën zgjedhore për këto zgjedhje janë regjistruar 1 814 317 votues me të drejtë vote, ndërsa karakteristike është ajo që votimi nuk do të zhvillohet siç bëhet zakonisht ditëve të fundjavës, por do të jetë të mërkurën.

Në mënyrë teorike presidenti mund të zgjidhet edhe në rrethin e parë me atë kandidat i cili do të marrë shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i votave, përkatësisht 50% plus një, gjë për të cilën ekzistojnë gjasa të vogla posaçërisht në këto zgjedhje kur votohet për 7 kandidatë. Përzgjedhja e shefit të shtetit duhet të ndodh në rrethin e dytë kur do të vendoset për dy kandidatë të cilët në rrethin e parë kanë marrë më së shumti vota. Megjithatë edhe për përzgjedhjen e tyre nevojitet plotësimi i censusit, përkatësisht në zgjedhje të dalin më së paku 40% të votuesve të regjistruar. Siç është e ditur, vendvotimet do të hapen në orën 7, ndërsa do të mbyllen në orën 19, ndërsa sipas paralajmërimeve jozyrtare rezultatet e zgjedhjeve nga rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale, KSHZ duhet t’i publikojë para mesnatës së 24 prillit.

Gjithsej 942 mbikëqyrës, gazetarë të huaj dhe përkthyes janë akreditura për ndjekjen e zgjedhjeve presidenciale. Sipas informacioneve nga KSHZ zgjedhjet do t’i ndjekin 342 mbikëqyrës nga vendi dhe 568 mbikëqyrës të huaj, mes të cilëve pjesa më e madhe janë nga OBSE/ODIHR numri i të cilëve është 375.

Related Articles

Back to top button
Close
Close