
Nga sot hyn në fuqi vendimi për zgjatjen e periudhës së gjendjes së krizës për shkak të mundësisë së ndërprerjes së furnizimit me naftë dhe derivateve të naftës. Gjendja e krizës do të zgjasë deri më 20 tetor. Megjithatë, vazhdimi i krizës dhe vazhdimi i uljes së akcizave, nuk ndihmoi në parandalimin e rritjes së çmimeve të derivateve. Kështu, nga sot një litër naftë shitet për 94 denarë. Benzina BS 95 kushton 90 denarë për litër ndërsa BS 98 kushton 92 denarë.
Në opinion pati reagime se në pikat e karburanteve para ndryshimit të çmimeve kishte kufizim të sasisë së mbushjes së naftës në 500 denarë për veturë. Inspektorati i Tregut thonë se inspektorët janë në terren dhe se nuk do të lejohen keqpërdorimet.
“Për momentin shteti disponon me sasi të mjaftueshme të derivateve dhe nuk ka nevojë për kursime. Inspektorët tanë janë në terren dhe kryejnë kontrolle nëse në pika të caktuara ka kufizime të furnizimit me naftë por deri tani nuk është konstatuar një gjë e tillë”, tha për Alsat, drejtori i Inspektoratit të Tregut, Vllatko Stojkoski.
Se nuk ka nevojë për kufizime të derivateve pati deklaruar edhe kryeministri Hristijan Mickoski. Sipas tij, nuk ka rrezik as për qytetarët as për bizneset pasi ka mjaftueshëm sasi të naftës në rezervat shtetërore, por edhe në tubacionin që lidh Portin e Selanikut me rafinerinë e OKTA-s.
Çmimet e naftës janë rritur me rreth 3% pas përshkallëzimit të konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Nafta Brent, referenca ndërkombëtare, u ngjit në 90.78 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane arriti në 84.85 dollarë për fuçi. Rritja vjen në një kohë kur trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20% e furnizimit global me naftë, është reduktuar për shkak të tensioneve në rajon.



